Misioni shkencor për të zbuluar më shumë nga jeta ujore
Misioni shkencor për të zbuluar më shumë nga jeta ujore

Një mision shkencor për të gjetur specie detare të pazbuluara në brigjet e Zelandës së Re është gati të nisë. Lundrimi do të bëjë kërkime 5 mijë metra poshtë nën ujë, në një zonë të paeksploruar të quajtur Bounty Trough.
Vija bregdetare e Kepit Palliser të Zelandës së Re është strehë për kafshët e egra.
Aty në shkëmbinjtë ku përplasen dallgët e detit po qëndrojnë disa foka.
Por çfarë tjetër mund të ketë nën ujë që ne nuk e dimë?
Një mision i ri shkencor synon ta zbulojë këtë.
Shkencëtarët nga organizata “Ocean Census” dhe Instituti Kombëtar i Zelandës së Re për kërkime ujore dhe atmosferike (NIWA) së shpejti do të nisin kërkimet.
Ata do të eksplorojnë një zonë në brigjet e ishullit jugor të Zelandës së Re.
Plani është të lundrohet deri në 5 mijë metra nën ujë për të kërkuar lloje të pazbuluara koralesh, peshqish, molusqesh, yjeve të detit dhe iriqëve.
Sadie Mills, bashkëdrejtuese e Ekspeditës së Institutit Kombëtar të Kërkimeve të Ujit dhe Atmosferës (NIWA), thotë se ekspedita ndihmon që zona të eksplorohet më shpejt.
“Pra, kjo është ekspedita në ishullin, Bounty Trough. Ne do të dalim të kërkojmë dhe përshpejtojmë zbulimin e specieve në thellësi të detit. Pra, ne do të shkojmë në një zonë shumë të paeksploruar të Zelandës së Re, e cila quhet Bounty Trough, e që ndodhet vetëm në brigjet e Otagos”.
Ekipi do të kalojë 21 ditë në bordin e anijes kërkimore, Tangaroa.
Ai vjen me pajisje të specializuara, të afta për të përballuar presionin e jashtëzakonshëm të përjetuar 5 mijë metra nën nivelin e detit.
“Kemi pjesë të ndryshme të pajisjeve në anije. Kemi edhe një kamerë në mënyrë që të mund të bëjmë video të kafshëve në fund të detit dhe habitateve që po shohim atje poshtë dhe kemi lloje të ndryshme të pajisjeve për të marrë mostrat e kafshëve”.
Zelanda e Re është e rrethuar nga Oqeani Paqësor dhe Deti Tasman, me rryma nga Oqeani Jugor që sjellin ujërat nga Antarktiku.
Ky ekosistem ka tërhequr prej kohësh shkencëtarët detarë për të studiuar përmbajtjen e tij.
Organizata u krijua për të përshpejtuar zbulimin e jetës detare.
Ekipi ka shpresa të mëdha për gjetjen e shumë specieve të reja.
Sipas ekipit, është thelbësore të dokumentohet ajo që është në oqeane sa më shpejt që të jetë e mundur.
Kërcënimet mjedisore mund të zhdukin disa specie para se ta dimë se ekzistojnë.