Mitrovicë, peticionin për shkarkimin e kryetarit të komunës
Mitrovicë, peticionin për shkarkimin e kryetarit të komunës

Numër i madh i qytetarëve dolën paradite në veri të Mitrovicës, për të nënshkruar peticionin rreth shkarkimit të kryetarit të kësaj komune. Sanja Kërtiniq, anëtare e grupit inicues për nënshkrimin e peticionit, tha se gjithçka është duke shkuar në rregull deri tani dhe se numri i qytetarëve për të nënshkruar peticionin është i madh. Sipas saj, numri i nënshkrimeve të nevojshme do të plotësohet qysh sot. Situatë e ngjashme po mbretëron edhe në Leposaviq, ndërsa komunat e Zvecanit dhe Zubin Potokut nuk kanë filluar ende nënshkrimin e peticionit, me arsyetimin se nuk hanë pajisur me dokumentacionin e nevojshëm. Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar. Nisja e detyrës së kryetarëve shqiptarë në komunat në veri, nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar, tensione që kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.
“Dalja e qytetarëve është vërtetë e madhe dhe unë mendoj se ne që sot do të arrijmë të mbledhim gjithsej 3 mijë e 640 nënshkrime, sa është e nevojshme për ndërrimin e kryetarit, ndërsa supozoj se ky numër do të jetë edhe më i madh… Më duhet të përmendi se ne një gjë të tillë e kemi pritur një vit, për faktin se konsiderojmë se kryetari është jolegjitim, është zgjedhur në mënyrë jolegale, nuk përfaqëson votën e popullatës shumicë, por as të komuniteteve tjera që jetojnë në këtë hapësirë”, tha Sanja Kërtiniq, anëtare e grupit inicues për nënshkrimin e peticionit. /Alsat.mk