Modulari/ 3 vjet e gjysmë, Prokuroria pa vendim
Modulari/ 3 vjet e gjysmë, Prokuroria pa vendim
Gazetar: Suad Bajrami
Pavarësisht epilogut të procesit gjyqësor ndaj ish drejtorëve të Spitalit të Tetovës, opinioni kërkon përgjegjësi më të thellë dhe të zgjeruar për tragjedinë që ndodhi më 8 shtator të vitit 2021, në të cilën si pasojë e zjarrit humbën jetën 14 persona, 12 pacientë dhe 2 familjarë. Kërkesa u përsërit, sidomos pas tragjedisë së Koçanit, për të cilën Prokuroria ka vënë nën hetim mbi 60 persona për djegien e diskotekës Puls.
Llogari kërkohet për përgjegjësit që e kanë porositur, përgatitur dhe vendosur në funksion Spitalin Modular. Për zyrtarët apo personat përgjegjës që kanë instaluar dhe kontrolluar instilacionin e rrymës, por edhe për të gjitha institucionet që kanë lejuar Modulari të funksionojë pa sistem mbrojtës kundër zjarrit. Sidomos, në rrethana kur është konstatuar se Modulari është ndërtuar me material lehtë të djegshëm, ndërsa nuk ka pasur sistem kundër zjarrit.
Mbase, disa prej këtyre çështjeve do të zbardheshin me lëndën e dytë në lidhje me zjarrin në Modular, e cila udhëhiqet nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e që po kontrollon zbatimin dhe realizimin e furnizimit publik për ndërtimin e të gjitha 19 spitaleve modulare në vend, përfshirë edhe atë të Tetovës. Megjithatë, lënda edhe pas tre vite e gjysmë, ka mbetur në fazë parahetimore, ndërsa nuk dihet se kur mund të ketë epilog prokurorial.
Për ngjarjen ku vdiqën tragjikisht 14 persona, deri më tani para drejtësisë janë vënë vetëm dy ish drejtorët, si përgjegjës se nuk kanë vendosur pajisje dhe instalime përkatëse për mbrojtje kundër zjarrit dhe nuk i kanë respektuar rekomandimet shëndetësore gjatë epidemisë. Nga përgjegjësia, shpëtoi mjeku kujdestar Buban Vuçevski.
Versioni zyrtar për zjarrin në Spitalin Modular është kontakt i shkurtër i energjisë elektrike gjatë reanimimit të një pacienti, pas çka është nxehur dhe pastaj djegur kablloja vazhduese, në të cilën kanë qenë të lidhura një defibrilator, karikues telefoni celular dhe një pajisje tjetër. Zjarri, menjëherë ka kapluar hapësirën ndërsa për disa minuta, objekti është shkrumbuar./ Alsat.mk








