“Mohimi i shqipes dështim i BDI-së dhe ASH-së”
“Mohimi i shqipes dështim i BDI-së dhe ASH-së”

Partitë opozitare vlerësojnë se refuzimi i nxënësve shqiptar nga Velesi për tu regjistruar në gjimnazin “Koço Racin” dëshmon se urrejtja ndaj shqiptarëve është më e fuqishme se një e drejtë e garantuar që ka të bëjë me arsimimin në gjuhën amtare. “Jo vetëm kaq, por nga ky gjimnaz janë larguar edhe katër profesorë shqiptarë, ndërkaq 10 nxënës shqiptarë janë detyruar të regjistrohen në paralelet maqedonase. Edhe ky skandal tregon se problemet në arsimimin shqip në Maqedonisë vit pas viti vetëm se shtresohen dhe, pavarësisht se për momentin ministri i Arsimit dhe zëvendësi i tij janë shqiptarë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Demokratike. Partia Alternativa në reagimin e saj vlerëson se Maqedonia po kthehet çdo ditë e më shumë në poligon serb për të eksperimentuar me arsimin shqip. “Ashtu si në fillimvitet e ’90-ta, kur hapja e një paralele shqipe në një shkollë përbënte lajm vjetor, në Veles kjo po ndodhë në vitin 2023, kur kemi një ministër që identifikohet si shqiptar, kur është në pushtet një parti që disa herë ka pasur ministra shqiptarë të Arsimit dhe një parti tjetër që ka përcaktor “Shqiptare”. Megjithatë, krejt këto nuk mjaftojnë as sa për të hapur një paralele shqipe më shumë në Veles, por edhe në Manastir, ku nxënësit shqiptarë tashmë disa vite mësojnë në gjuhën maqedonase. /Alsat.mk