Mosfunksionimi i objektit të ri shkollor ka shkaktuar revoltë te banorët e Vizbegut

Mosfunksionimi i objektit të ri shkollor ka shkaktuar revoltë te banorët e Vizbegut

Gazetar: Melihate Rustemi

Banorët e Vizbegut shprehen të revoltuar për mos-hapjen me kohë të objektit të ri shkollor në lagjen e tyre, pavarësisht premtimeve të Ministrisë së Arsimit se do të filloj me punë këtë muaj.

“Nuk ka rrymë, nuk ka ujë dhe rrugë. Këto janë tre gjërat e para që mungojnë. Uji është, vetëm duhet me lidh, me ardhur të ujsjellësit e me lidh, rrymën kanë thënë që duhet të bëjnë trafë tjetër të re, se ky tel nuk e mban. Unë fola me udhëheqësin e shkollës, tha ky tel nuk e mban se mundet me djeg edhe linjën tjetër, duhet me ardh trafë tjetër. Edhe rrugët, ndoshta tash mirë është por nëse bie shi fëmijët nuk mund të vijnë me qese najloni e ashtu të futen brenda”, tha Xhevair Rustemi, banor.

Banorët apelojnë institucionet përkatëse që shkolla e re në Vizbeg mos të përdoret për pazare politike të pushtetit qëndror dhe atij lokal.

“Është mjerim çka po ndodhë këtu, kryhet puna e nuk lëshohet, mungon rryma mungon uji, mungojnë gjitha kushtet, jo se nuk dëshirojmë ne..Unë jam I bindur se këtu ka hy problemi politik, për qëllime politike ose të votive ose diçka tjetër. I kisha bë thirrje ose lutje kryetarit të komunës që mos ti mer parasysh këto gjëra por ta hap shkollën një ditë e më parë”, thotë Nebi Ibrahimi, banor.

Pavarësisht që u paralajmërua për në Tetor, hapja e objektit të ri shkollor në Vizbeg akoma nuk dihet se kur do të bëhet. Kontrolli teknik I kryer në fund të muajit Shtator rezulton me disa mangësi. Siç tha një ditë më parë kreu I Butelit, Darko Kostovski objekti shkollor ende nuk është lidhur në rrjetin përkatës elektrik dhe atë të uëjsjellësit.

Kostovski shtoi se këto lidhje janë të patjetërsueshme për të testuar funksionimin e ashensorit, sistemit të ngrohjes, kondicionerët, ndriçimin e tërësishëm dhe paisjet që kanë të bëjnë me ujësjellësin. Për shkak të këtyre lëshimve, Kostovski tha se nuk ka dhënë dritë jeshile për lëshimin në përdorim të objektit.

Ndërsa shkolla e re nuk lëshohet në përdorim, qindra nxënës të Vizbegut vazhdojnë të mësojnë në shkolla të ndryshme të komunës së Çairit. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button