Moti i nxehtë ka përfshirë të gjithë kontinentin e vjetër, temperaturat shkojnë mbi 40 gradë Celsius

Moti i nxehtë ka përfshirë të gjithë kontinentin e vjetër, temperaturat shkojnë mbi 40 gradë Celsius

Gazetare: Ajnur Bafqari

Vala ekstreme e të nxehtit ka përfshirë të gjithë kontinentin e vjetër. Pothuajse në të gjitha vendet e Evropës, temperaturat shkojnë mbi 40 gradë celsius, ndërsa autoritetet në të gjitha shtetet po marrin masa të ndryshme lidhur me këtë çështje.
Anticikloni afrikan që po intensifikohet mbi gjerësinë gjeografike të Mesdheut ka prekur pjesën më të madhe të rajonit. Në Shqipëri në zonat më të ulëta, temperaturat pritet të arrijnë kulmin në 43 gradë celsius.

Në Greqi, Shërbimi Meteorologjik Kombëtar ka raportuar se masat ekstreme të ajrit të nxehtë që mbulojnë pjesën më të madhe të Evropës Lindore dhe Ballkanit do të vazhdojnë të ndikojnë në të gjithë vendin.

Në kuadër të masave kundër temperaturave ekstreme, mes tjerash vendi i njohur antik i Akropolit të Greqisë do të mbyllet nga mesdita deri në orët e vona të pasdites për të mbrojtur punëtorët dhe turistët.
Në Itali që dje Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar alarmin e kuq të “kategorisë 3”, në 13 qytete të mëdha, përfshirë Romën, Bolonjën, Firencen, Palermon dhe Triesten, si rezultat i të cilës në shumë rajone zbatohen masa urgjente, si ndalim i punës në ambient të hapur nga 12:30 deri në 16:00. Gjithashtu qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin direkt në diell dhe të rrisin përdorimin e lëngjeve.

Alarm të kuq për nxehtësinë eksreme që ka prekur pjesën më të madhe të vendit, ka lëshuar edhe Administrata kombëtare e Motit e Rumanisë. Temperaturat atje variojnë nga 37 deri në 42 gradë Celsius.

Në Bullgari, Instituti Kombëtar i Meteorologjisë dhe Hidrologjisë parashikon temperatura deri në 43 gradë Celsius në pjesën më të madhe të vendit.

Po ashtu edhe Instituti Kombëtar Meteorologjik Spanjoll, ka paralajmëruar për një valë të të nxehtit, duke theksuar se ditët më të pafavorshme do të jenë të enjten dhe të premten. AEMET tha se në nivel lokal temperaturat mund të shkojnë deri në 44 gradë celsius, ndërsa karakteristikë e kësaj periudhe janë edhe temperaturat e larta gjatë natës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button