Policia zbardhi sulmin ndaj kreut të Haraçinës, Ridvan Ibraimi

Policia zbardhi sulmin ndaj kreut të Haraçinës, Ridvan Ibraimi

Gazetar: Adrian Kerimi

Policia ka zbardhur atentatin e një prillit të këtij viti ndaj kreut të Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi. Sipas MPB-së është bërë i ditur edhe identiteti i atentatorit, 36 vjeçari me inicialet M.A, profil i njohur për organet e rendit. Motivet nuk janë bërë të ditura.

“Nga sulmi me pushkë automatike nga një person i panjohur në drejtim të kreu të komunës dhe të punësuarve në këtë institucion derisa po mbikëqyrnin disa punime mbetën të lënduar dy persona. Pas masave operative dhe teknike të ndërmarra nga policia dhe prokuroria është vërtetuar identitet i autorit të dyshuar”, njoftojnë nga Ministria e Brendshme.

Ai do të ndiqet për veprën penale “vrasje në tentativë”. Policia nuk ka njoftuar nëse i dyshuari është arrestuar apo është i pakapshëm për organet e rendit dhe do të shpallet në kërkim. Atentati ndaj Ridvan Ibraimit ndodhi më një prill derisa në Haraçinë po vëzhgonte punimet në rrugën kryesore. Nga gjuajta me pushkë automatike u plagosën dy persona, Eshtref Selimi 39 vjeç dhe Adnan Ajdini 22 vjeçar, njëri në cilësinë e shoferit e tjetri në cilësinë e truprojës së Ibraimi. Para atentatit, Ibraimi kishte denoncuar kërcënime me jetë . Më 25 maj të vitit kaluar, Komuna e Haraçinës kishte njoftuar se për shkak të kërcënimeve drejtuar ndaj kreut dhe administratës komunale, obligohen të mbyllin komunën deri sa organet e rendit të sigurojnë kushte pune. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button