Muaremi me ankesë për Ruskoskën: Bastisja ishte e pabazë

Muaremi me ankesë për Ruskoskën: Bastisja ishte e pabazë

Gazetare: Mirjana Davidovska

Drejtori i Policisë Financiare kërkon nga Prokuroria e Shtetit që të rishikojë punën e Prokurores për Krim të Organizuar dhe Korrupsion për shkak të bastisjes që është bërë në zyrat e drejtorit Muaremi. Ky i fundit ka dërguar një komunikatë përmes së cilës kritikon mënyrën se si është vepruar. Në deklaratë thuhet se prokurorëve të krimit të organizuar iu është lejuar qasje e papenguar pavarësisht faktit se urdhrit i mungonin bazat formale, materiale dhe thelbësore për lëshimin e një urdhri për bastisje.

“Sipas nenit 21 pika 15 të Ligjit për Procedurë Penale, “dyshimi i arsyeshëm është shkallë më e lartë e dyshimit në bazë të provave të marra që konstatojnë se një person i caktuar ka kryer vepër penale”, dhe nga ana tjetër, publiku është dëshmitar i deklaratave të kryetares së PPKOK-së të publikuara në media në të cilat ajo vetë deklaron se nuk ka asnjë të dyshuar, pra se “po presim të shohim nëse ka diçka të bazuar në denoncim”, thonë nga Drejtoria e Policisë Financiare.

Drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi thotë se nëse Prokuroria ka kërkuar çfarëdo lloj dokumentacioni, ai do ta dorëzonte pa nevojë për bastisje, me çka është prishur imazhi i Institucionit.

Shefja e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, Ruskoska thotë se drejtori nuk ka pasur nevojë për parashtresa nëse ka punuar sipas ligjit. Për të është e paqartë pse nuk ka dorëzuar parashtresa edhe në Këshillin gjyqësor.

“Nëse urdhri i gjykatëse sipas tij vetëm formalisht është ligjësor, por thelbi ka qenë i pakuptueshëm dhe paushall, atëherë pse nuk është dërguar parashtresë edhe pranë Këshillit gjyqësor. Në çdo rast, parashtresa si dhe publikimin e të njëjtës, e konsideroj si presion të drejtpërdrejtë ndaj punës së Prokurorisë dhe gjykatës. Nëse është punuar sipas ligjit, nuk e kuptoj tërë këtë panik dhe presion”, tha Villma Ruskoska- prokurore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Nga Prokuroria e shtetit shprehen se e kanë pranuar parashtresën nga Drejtoria e policisë financiare dhe do të marrin masa për shqyrtimin e pretendimeve, pas çka do të merret vendimi përkatës. Sipas burimeve të Alsat, prokurori i shtetit Joveski tashmë ka thirrur për bisedë dy prokuroret që kanë qenë përgjegjëse për bastisjen. Ndryshe, bastisja në policinë financiare është kryer pas denoncimit të qytetarëve për mosveprim të mundshëm të institucionit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button