“Multikulturalizmi”, MASH paralajmëron mbështetje financiare të projektit
“Multikulturalizmi”, MASH paralajmëron mbështetje financiare të projektit

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska ka paralajmëruar rritje të mbështetjes financiare për shkollat në të cilat do të realizohet projekti për zhvillimin dhe përparimin e multikulturalizmit, integrimit ndëretnik dhe tolerancës. Deri më tani grantet që fitonin shkollat ishin në vlerë prej 30 mijë denarë ndërsa me konkursin e radhës në muajin Tetor grantet pritet të arrijnë në 90 mijë denarë që tashmë parashihet në Ligjin për arsim fillor ndërsa së shpejtu edhe në Ligjin për arsim të mesëm. Janevska kujtoi se uniteti, toleranca dhe mirëkuptimi mund të ndërtojnë breza cilësorë dhe të fortë të rinjsh që të bashkuar do ta udhëheqin vendin përpara në të ardhmen. Gjithashtu, Janevska paralajmëroi rikthim të paraleleve me nxënës të bashkësive të ndryshme etnike.
“Qëndrimi im personal është se fëmijët duhet të jenë në paralele multietnike që nga kopshti dhe klasa e parë. Mirëpo, procesi nuk është I lehtë. Puna në një ndërrim do të siguroj atë që kishim dikur, në një ndërrim të jenë paralelet me nxënës të bashkësive të ndryshme etnike. Për shkak të ndodhive në të kaluarën dhe për shkak të sjelljes agresive të disa prej nxënësve vepruam me ndarjen mirëpo tani është koha të kthehemi në atë që është normale. Normale është të jetojnë bashkë dhe të kuptohen”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit. /Alsat.mk