Mungesa e autobusëve, kokëçarje për qytetarët

Mungesa e autobusëve, kokëçarje për qytetarët

Gazetar: Mefail Ismaili

Qytetarët e Shkupit në temperatura nën zero gradë presin deri në një orë autobusët e transportit publik . Ata thonë se pritjet e gjata dhe numri i madh udhëtarëve nëpër autobusë shkakton nervozizëm të madh çdo ditë.
Qytetarët deklarojnë se nuk kanë shpresë se problemi me transportin privatë do të zgjidhet së shpejti.

“Po presë 20 minuta, 30 minuta që të vijë autobusi… Po në këtë të ftohtë duhet të vijë më shpesh më herët, po nuk ka”.

“Varet, 5, 15, 20 minuta, gjysmë ore, një orë… ku e di ata duhet t’ia mendojnë jo ne. Ata duhet ta dinë pse kështu. Në autobusë a ka shumë njerëz. Ka, nuk shkon kështu, shumë nervozë për çdo ditë”.

“Pritet si nuk pritet, në mëngjes për këndej një orë kemi pritur. Çdo ditë pritet… Në mëngjes njëri nuk erdhi dhe tjetri ishte plotë. Po kush të pyet askush nuk të pyet”.

“Presim si gjithmonë, si gjithmonë, unë jam nga lagjja e Shuto Orizares, 19-ta dhe 20-ta shumë vonohen… unë momentalisht jam në pension, kur kam për të ikur në spital nuk mund të arrij, duhet të shikoj të pres gjatë pastaj të iki ose të marr ndonjë taksi”.

Për shkak të borxhit që Ndërmarrja për Qarkullim Publik ka ndaj transportuesve privatë dhe mos arritjes së marrëveshjes për zgjidhjen e problemit, transportuesit për më shumë se tre muaj nuk punojnë. Ndërsa dy shoqatat e transportuesve privatë paditën NQP-në. Seanca e parë gjyqësore është caktuar për të enjten për padinë e parashtruar nga “Slloboda Prevoz”, e cila thotë se duhet të marrë rreth një milion euro nga Qyteti i Shkupit, përkatësisht NQP-ja. Pasi kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska nuk pranoi që të takohet me përfaqësuesit e transportuesve privatë, ata themeluan një këshill të ri për të negociuar. Këshilli i ri u pranua nga Arsovska një ditë më parë. Pas takimit, ata thanë se kanë marrë sinjale pozitive nga kryetarja e Qytetit të Shkupit për tu kthyer në punë dhe për tu paguar edhe borxhi. Por nuk zbardhën detajet se në çfarë mënyrë do të gjendet zgjidhje dhe kur do të kthehen në rrugët e kryeqytetit më shumë se 200 autobusë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button