Mungesa globale e gjysmëpërçuesve ka të ngjarë të shkaktojë probleme për industrinë e automobilave të paktën deri në vitin 2024

Për shkak të bumit të prodhimit të veturave elektrike, të cilat kanë nevojë për 10 herë më shumë çipa se motorët me benzinë apo naftë, ndoshta kapacitetet edhe më të mëdha të prodhimit nuk do ta mbulojnë plotësisht kërkesën, paralajmërojnë autorët e hulumtimit.

Prodhimi duhet të arrijë nivelet para pandemisë deri në vitin 2024, vlerëson Alix Partners. Shitjet pritet të bien 1.8 për qind këtë vit, në 78.9 milionë vetura dhe automjete të lehta komerciale.

Çmimet e lëndëve të para për veturat me lëndë djegëse fosile janë dy herë më të larta këtë vit se në vitin 2020, dhe çmimet e lëndëve të para për makinat elektrike janë pothuajse tre herë më të larta, thuhet në hulumtim. Çmimi i baterive duhet të rritet sërish, pas shumë vitesh rënie, theksojnë autorët.

Automjetet elektrike me çmim të ulët dhe mesatar së shpejti mund të përdorin gjithnjë e më shumë bateri litium-hekur-fosfat, të cilat janë më të rënda dhe garantojnë më pak distancë se bateritë konvencionale, por janë më të lira dhe nuk varen nga metalet e rralla të çmuara nga pjesë të paqëndrueshme të botës.

Në vitin 2035, Evropa do të jetë lider global në segmentin e veturave ekskluzivisht elektrike, me një pjesë prej 83 për qind në shitje. Në Gjermani mund të arrijë në 96 për qind. Globalisht, çdo makinë e dytë e shitur duhet të jetë elektrike, vlerëson Alix Partners.

Por veturat elektrike kërkojnë gjithashtu infrastrukturë karikimi, e cila duhet të ndërtohet në mënyrë që të mos reduktohet në një lidhje në shtëpinë e pronarit, paralajmëroi eksperti i industrisë Christian Siekmann.

LEXO EDHE:

Back to top button