Muri i rrënuar afër Klinikës së fëmijëve, mollë sherri mes Ministrisë, Qytetit të Shkupit dhe Qendrës për menaxhimin me kriza
Muri i rrënuar afër Klinikës së fëmijëve, mollë sherri mes Ministrisë, Qytetit të Shkupit dhe Qendrës për menaxhimin me kriza

Gazetare: Linda Ebibi
Kanë kaluar tre muaj që nga raportimi ynë i fundit për gjendjen e murit që ndodhet në Klinikën Universitare për Sëmundje të Fëmijëve. Që nga atëherë asnjë gurë nuk ka lëvizur për riparimin e tij. Ky mur gjithashtu rrezikon edhe jetën e qytetarëve.
Në afërsi të murit, për shkak të mungesës së parkingjeve qytetarët shpesh parkojnë veturat e tyre. Përveç një pjese të rrënuar të murit, rrezikon rrënimin edhe pjesa tjetër. Ministria e Shëndetësisë e cila është e autorizuar për zgjidhje afat shkurtër, thonë se për zgjidhjen e këtij problemi kanë përgatitur informacion të cilin do dorëzojnë në Qeveri. Në të parashikohet prokurim publik shumëvjeçar për ndërtimin e murit, në vlerë prej 18.7 milionë denarë.
“Pas miratimit të informacionit të Qeverisë, Ministria e Shëndetësisë do të përgatisë dokumentacionin e tenderit dhe do të publikojë njoftimin për zbatimin e prokurimit publik shumëvjeçar. Përveç murit mbajtës, është planifikuar të vendosen dhe të riparohen linjat e reja të infrastrukturës ekzistuese”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Para tre muajve është mbajtur një takim koordinues në Qendrën për Menaxhim me Kriza. Në konkluzionet e këtij takimi u dakordua që Qyteti i Shkupit të gjejë zgjidhje të përhershme dhe afatgjatë të problemit. Por, Qyteti i Shkupit edhe pas tre muajve mohon se është i autorizuar për zgjidhjen e këtij problemi, madje na thanë se jemi keq informuar.
“Për një zgjidhje të përhershme dhe afat gjatë të problemit, është e nevojshme që Qeveria, në koordinim me institucionet tjera kompetente, të gjejë një zgjidhje përfundimtare për këtë problem. Qyteti i Shkupit nuk është kompetent për përgatitjen e një studim të ri hidrologjik”, reaguan nga Qyteti i Shkupit.
U drejtuam përsëri tek Qendra për Menaxhim me Kriza për konkluzionet e këtij takimi. Nga atje përsëri na thanë se Qyteti i Shkupit duhet të gjejë zgjidhje afatgjate të përhershme për këtë problematikë. Madje sipas tyre është paraparë edhe riparimi i rrugës sipër murit, pasi që e njëjta është shembur dhe po vështirëson qarkullin.
“Për zgjidhje të përhershme dhe afatgjatë të problemit, Qyteti i Shkupit në koordinim me institucionet tjera kompetente duhet të përgatisë një studim të ri hidrologjik dhe një studim për mbrojtjen e ujërave nëntokësore, në bazë të së cilës do të merreshin masa të përhershme për ndërtimin e një rruge të re me rrjetin e nevojshëm të kanalizimit dhe asfaltimin e të njëjtës”, thonë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Rrëzimi i murit ka vështirësuan edhe qarkullimin për gjatë natës, pasi në vendin ku kanë mbetur gërmadhat mungon edhe ndriçimi publik. Pamjet dëshmojnë se nuk janë ndaluar as rrjedhat e ujit dhe të kanalizimit, duke kundërmuar erë të keqe pikërisht në afërsi të Klinikës së Fëmijëve./Alsat.mk