Musk tregon se cilët mendon se janë tre njerëzit më të zgjuar në botë
Musk tregon se cilët mendon se janë tre njerëzit më të zgjuar në botë

Elon Musk, një nga miliarderët më të famshëm dhe pronar i platformës X (ish Twitter), ishte i ftuar në podkastin e politikanit republikan Ted Cruz ku zbuloi se cilët mendon se janë tre njerëzit më të zgjuar në botë. Edhe pse shpesh shkakton polemika, këtë herë Musk ndau mendimin e tij për njerëzit që i admiron shumë për inteligjencën dhe ndikimin e tyre në botën e teknologjisë dhe biznesit.
Musk renditi emrat e mëposhtëm: Larry Ellison – bashkëthemelues i Oracle dhe ish-anëtar i bordit të drejtorëve të Tesla, Larry Page – bashkëthemelues i Google dhe Jeff Bezos – themelues i Amazon dhe kompanisë hapësinore Blue Origin.
Duke folur për Ellison, i cili ishte anëtar i bordit të Tesla-s midis 2018 dhe 2022, Musk e përshkroi atë si “një nga njerëzit më të zgjuar që njoh”. Përveç bashkëpunimit të biznesit, Ellison thuhet se ka investuar 1 milion dollarë për të ndihmuar Musk të marrë përsipër Platformën X në 2022.
Për Larry Page, Musk tha se suksesi i tij dhe kthimi i Google në një gjigant global të teknologjisë janë rezultat i drejtpërdrejtë i inteligjencës së tij të jashtëzakonshme. “Në një farë mase, një person i zgjuar është dikush që bën gjëra të zgjuara,” komentoi Musk. Edhe pse më parë ishin miq të ngushtë, marrëdhënia e tyre u ftoh për shkak të mosmarrëveshjeve për zhvillimin e inteligjencës artificiale, shkruajnë mediat e huaja.
I treti në listë është Jeff Bezos, me të cilin Musk ka një histori të gjatë rivaliteti, veçanërisht kur bëhet fjalë për industrinë hapësinore. Por ai gjithashtu e lavdëroi atë: “Jeff Bezos është përballur me shumë sfida komplekse dhe domethënëse,” tha Musk, duke iu referuar punës së tij me Blue Origin.
Edhe pse ata kanë konkurruar për vite me radhë, veçanërisht në garën për të pushtuar hapësirën, Musk ndau një meme në fillim të këtij viti që sugjeronte se tensionet mes tij dhe Bezos kishin filluar të zbuten. Kjo ka nxitur spekulimet se marrëdhënia mes dy miliarderëve në fund të fundit mund të jetë duke u përmirësuar.