Mustafa Harjullahu edhe për një mandat do të drejtojë Prokurorinë e Lartë të Shkupit

Mustafa Harjullahu edhe për një mandat do të drejtojë Prokurorinë e Lartë të Shkupit

Gazetar: Ardit Ramadani

Të njëjtët anëtarë të Këshillit të Prokurorëve Publik që në një seancë gjatë muajit maj kishin kritikuar ashpër punën e Mustafa Hajrullait në krye të Prokurorisë së Lartë të Shkupit, sot njëzëri e rizgjodhën atë për këtë detyrë për mandat të ri 4 vjeçar ndërsa pas kësaj, thanë fjalët më të mira për të. Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Antonio Jolevski pranoi se ka pasur kritika gjatë komentimit të raporteve të deritanishme të kësaj prokurorie, të udhëhequr nga Hajrullai, por tha se faji nuk është tërësisht i tij.

“Është e vërtetë që ne i konstatojmë të gjitha gjërat negative dhe dobësitë të raporteve dhe bëjmë vërejtje të caktuara. Sot dëgjuat nga kolegët të cilët thanë se ato vërejtje kanë të bëjnë me punën e tërësishme të Prokurorisë së Lart të Shkupit, e cila, kap gjysmën e territorit të shtetit. Ndërsa, situata në prokuroritë themelore është e tillë, që kur i themi rezultatet si Prokurori e Lartë, ajo situatë reflektohet në gjithë gjendjen. Situata në Prokuroritë Themelore është shqetësuese sepse ata janë ato që prodhojnë një grumbull lëndësh dhe kur vjen raporti vjetor i Prokurorisë së Lartë, duke i përmbledhur ata rezultate, shohim se kanë shumë pak të punuara në krahasim me tjerat”, deklaroi Antonio Jolevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve Publik.

Ndërkaq sipas procesverbalit të seancës së 55 të Këshillit të Prokurorëve, gjatë mandatit të kaluar të Hajrullahit ai nuk ka pasur të dhëna për dëme nga veprat penale, nuk ka asnjë konfiskim të pasurisë së paligjshme, nuk ka të dhëna për kallëzime të refuzuara, për raste të vjetruara dhe vërejtje tjera të rënda, por përkundër kësaj, prokurori i shtetit Lubomir Joveski e kishte vlerësuar pozitivisht me 24,5 pikë.

Rikujtojmë që në garë për shefin e kësaj prokurorie pos Hajrullahut më herët ishin edhe dy kandidatët Burim Rustemi dhe Fatime Fetai, por të njëjtit u tërhoqën ndërsa sipas anëtarit të Këshillit të Prokurorëve, Kole Shterjev, ky fakt ka nxitur gazetarët të flasin keq për Hajrullahun.

“Dëshira për të sensacionalizuar këta dy që hoqën dorë, krijoi nevojën për të sharë kandidatin, të cilin unë do ta mbështes”, tha Kole Shterjev, anëtar i Këshillit të Prokurorëve.

Edhe kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Antonio Jolevski, shprehu keqardhje që për këtë detyrë të rëndësishme ka pasur një kandidat, ai u shfajësua duke thënë se tërheqja e dy kandidaturave të mëhershme është bë me vullnetin e plotë të ish-kandidatëve.

Ndryshe, nga Prokuroria Publike sot njoftuan se është iniciuar procedurë disiplinore kundër ish prokurores për Parandalimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Villma Ruskovska dhe dy prokuroreve tjera nga kjo Prokurori, Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button