Muzeu “Onufri” rekord vizitorësh, 100 mijë në 10 muaj
Muzeu “Onufri” rekord vizitorësh, 100 mijë në 10 muaj
Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, deklaroi për ATSH-në se, muaji tetor ka rezultuar me një vizitueshmëri të lartë për Muzeun “Onufri”. Pasku tha se për herë të parë në historinë e Muzeut “Onufri” është kaluar pragu i 100 mijë vizitorëve.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, muajt janar-tetor 2024 shënuan një rritje me 40% të vizitueshmërisë, ku shumicën e përbëjnë turistët e huaj (grupe të organizuara nga agjenci shqiptare e të huaja).
Vizitorët e huaj të këtij muzeu kryesisht janë polakë, spanjollë, italianë, francezë etj. I pyetur për grupmoshat që frekuentojnë më shumë këtë muze, drejtori Pasku tha se, kryeson ajo e mbi 40-vjeçarëve, por kufiri i moshës është zgjeruar dhe gjithashtu është rritur ndjeshëm edhe numri i vizitorëve vendas.
Muzeu i ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.
Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin e XVI. Katedralja përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pas-bizantine në qytetin e Beratit./atsh