“Na thanë të qëllojmë për të vrarë”/ Roja i ndihmave në Gaza flet për BCC: Kolegët hapnin zjarr pa shkak!

“Na thanë të qëllojmë për të vrarë”/ Roja i ndihmave në Gaza flet për BCC: Kolegët hapnin zjarr pa shkak!

Një denoncues, që punoi si roje sigurie në pikat e shpërndarjes së ndihmave në Gaza të mbështetura nga Izraeli dhe SHBA-ja, ka deklaruar për BBC se kolegët e tij kanë hapur zjarr disa herë ndaj palestinezëve të uritur që nuk paraqisnin asnjë kërcënim.

Ai përshkroi një rast ku një roje qëlloi me mitraloz nga një kullë vrojtimi ndaj një grupi grash, fëmijësh dhe të moshuarish, vetëm sepse po lëviznin ngadalë larg vendit të ndihmave. Në një tjetër incident, një tjetër roje hapi zjarr drejt turmës me 15 deri në 20 plumba. Një burrë palestinez ra përtokë i palëvizshëm, dhe kolegët, sipas tij, e trajtuan situatën me tallje.

Fondacioni Humanitar i Gazës, që menaxhon pikat e ndihmave, i mohoi me forcë akuzat, duke deklaruar se asnjë civil nuk është qëlluar në zonat që administrojnë. Ata e përshkruan denoncuesin si një “punonjës të pakënaqur” që ishte larguar për shkak të shkeljeve, por ai i hodhi poshtë këto pretendime dhe paraqiti fakte që tregojnë se ishte paguar edhe pas largimit.

Denoncuesi tha për BBC se nuk kishte asnjë protokoll të qartë për përdorimin e armëve dhe se një udhëheqës ekipi u kishte thënë: “Nëse ndiheni të kërcënuar, qëlloni për të vrarë dhe pyesni më vonë”. Ai përshkroi një kulturë të rrezikshme brenda kompanisë, ku palestinezët trajtoheshin si “tufa zombish”.

Sipas tij, civilët palestinezë lëndoheshin edhe nga pajisje shpërthyese si granata shokuese apo spraj piperi, si dhe nga përplasja me tela me gjemba. Ai përshkroi rastin e një gruaje që u godit në kokë nga një pjesë metalike e një granate, duke rënë përtokë pa ndjenja.

Pikat e Fondacionit u hapën në fund të majit pas një bllokade totale 11-javore nga Izraeli, dhe kanë qenë objekt kritikash të shumta për vendndodhjet në zona aktive lufte. Sipas OKB-së dhe mjekëve lokalë, mbi 400 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite teksa përpiqeshin të merrnin ndihma.

Më shumë se 170 organizata humanitare, përfshirë Oxfam dhe Save the Children, kanë kërkuar mbylljen e fondacionit, duke i akuzuar rojet izraelite dhe grupet e armatosura se hapin zjarr ndaj civilëve që kërkojnë ndihmë. Izraeli i mohon këto akuza dhe pretendon se sistemi i ri shmang përfshirjen e Hamasit në shpërndarjen e ndihmave. Ndërkohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga Hamasi, që nga tetori 2023 janë vrarë mbi 57,000 njerëz në Gaza.

LEXO EDHE:

Back to top button