VIDEO / Nadalli mungon në Madrid, vihet në dyshim turneu i Romës

Rikthimi në fushë i Rafael Nadal është shtyrë sërish. Pasi hoqi dorë nga turnetë Masters të Monte Karlo e Barcelona, tenisti spanjoll deklaroi sot se do të mungojë edhe në turneun tjetër Masters, atë që zhvillohet në Madrid. Lajmin e konfirmoi vetë Nadal përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, ku sqaron gjithçka.

“Mendonim se koha e rikuperimit pas dëmtimit në ‘Australian Open’ duhej të ishte nga 6 deri në 8 javë, por kjo është java e 14-të. Realiteti tregon se situata nuk është ajo që shpresonim. Kam ndjekur të gjitha këshillat e mjekëve, por rikuperimi nuk ka qenë ai që pritej dhe aktualisht ndodhemi në një situatë të vështirë”, u shpreh fituesi i 22 grand slam.

 

“Shpresoja shumë të luaja në turnetë e mi të preferuar, por për fat të keq nuk mund të jem as në Madrid. Dëmtimi vijon të jetë i pranishëm dhe s’më lejon që të stërvitem ashtu si duhet për të patur mundësi të luaj në turne”, tha Nadal.

 

“Para disa ditësh vendosëm të ndryshojmë strategji, duke nisur një trajtim tjetër dhe të shohim se si do të shkojnë gjërat. Nuk jap asnjë afat për rikthimin tim, pasi nëse do ta dija do t’jua thoja. Kjo është situata aktuale”, tha Nadal.

 

 

Kështu, Rafael Nadal ka gjasa të mos luajë asnjë ndeshje në fushat me dhè, sipërfaqja e tij e preferuar. Kanë mbetur vetëm dy turne të mëdhenj në këtë sipërfaqe, ai i Romës dhe Roland Garros, të cilin e ka fituar 13 herë, por që këtë vit mund të mungojë.

LEXO EDHE:

Back to top button