Naglesman: E merituam humbjen, kishte lojtarë që nuk gjetën ritmin në asnjë moment!

Zhgënjim i madh ka pushtuar Bajern Munihun pas disfatës në “Bay Arena” përballë Bajer Leverkuzenit. Bavarezët nuk ia dolën për të ruajtur avantazhin e krijuar në pjesën e parë, ndërsa “aspirinat” përmbysën gjithçka në fraksionin e dytë, me dy penallti të sakta.
Trajneri i Bajernit, Julian Nagelsmann u shfaq shumë i irrituar me skuadrën duke pranuar se Bajern-i i tij ishte në një nga ditët më të këqija.
“Me përjashtim të dhjetë minutave të fundit, ne ishim skuadra më e dobët në fushën e lojës. Kishim pak fuqi në fushë, nuk luajtëm mirë dhe kështu që ne e merituam humbjen. Të them të drejtën skuadra ishte shumë dembele, ndërsa kishte lojtarë që nuk gjetën ritmin në asnjë moment dhe kjo nuk më pëlqen aspak. Në ndeshje të tilla duhet të jesh 100% i motivuar, ndërsa ne nuk ishim aspak aty, për t’i bërë ballë kundërshtarit dhe tani duhet të mendojmë seriozisht për të ndryshuar kurs. Kemi përpara ndërprerjen e kampionatit dhe në momentin që skuadra do të bashkohet do të analizojmë me detaje se çfarë ndodhi dhe se çfarë nuk duhet të përsëritet më,” përfundoi trajneri i bavarezëve.
Pas humbjes në “Bay Arena”, Bajern Munihu qëndron në vendin e dytë me 52 pikë dhe njw më pak se vendi i parë, Borusia Dortmund, që do të jetë kundërshtari i radhës.
Sfida e javës së 26-të, që do të luhet më 1 prill në “Allianz Arena” dhe do të jetë përcaktuese për fatet e këtij sezoni.