Naser Aliji: E kam pritur ftesën, në Gjermani mund të befasojmë

Naser Aliji ishte padyshim një nga emrat surprizë në listën e Kombëtares, në prag të Europianit. 30-vjeçari, është një prej pesë lojtarëve që për herë të dytë do ta kenë mundësinë e paraqitjes në Kampionatin Europian me fanellën e Shqipërisë. Mbrojtësi i skuadrës rumune, Voluntari, nga e cila do të largohet, ndeshjen e fundit me fanellën e Shqipërisë e zhvilloi katër vjet më parë. Ai luajti 90 minuta ndaj Andorrës më 25 mars të vitit 2019.
Aliji mori ftesën e Silvinjo edhe për dy ndeshjet miqësore të muajit mars. Por nuk luajti në humbjet nga Kili dhe Suedia. Ai pranon se konkurrenca në pozitën e tij është e madhe, me Mario Mitajn i cili ka shkëlqyer në ndeshjet kualifikuese. Por thotë se është gati të japë kontributin për fanellën kuqezi.
“Listën e kam parë në televizor, ashtu si të gjithë lojtarët besoj. Isha shumë i gëzuar, krenar dhe i lumtur. Kam shpresuar si gjithë lojtarët dhe e kam pritur ftesën. Është diçka e madhe për mua. Edhe në herën e parë në Francë ka qenë ndenja më e mirë për mua në karrierën time. Edhe pse nuk kam luajtur, eksperienca që e kam përjetuar ka të veçantën e saj.
Jam shumë i lumtur, është hera e dytë që shkoj në Evropian. Nuk është një gjë krejt e zakonshme për ne si shqiptarë, sidomos për ne që shkojmë për herë të dytë.
Hera e parë ka qenë ndjenjë që nuk e përshkruaj me fjalë. Duhet vetë ta përjetosh për të kuptuar emocionet. Tashmë është hera e dytë dhe është krenari shumë e madhe. Përjetimi është ndryshe kur luan për fanellën e Kombëtares. Është ndryshe nga paraqitjet me ekipin. Është krenari të luash për Kombëtaren. Është diçka e papërshkrueshme me fjalë.
Gjithçka mund të ndodhë. Në çdo Evropian dhe Botëror ka pasur ekipe që kanë bërë surprizë. Shpresoj të jemi ne befasia e Evropianit. Futbollit nuk i dihet”, deklaroi Aliji në një prononcim për “Koha.net”.