NATO: Rusia të ndalë lëvizjet e trupave rreth Ukrainës

Në kuartierin qendror të NATO-s zhvillohen mbledhje krize, sepse Rusia po grumbullon trupat përreth Ukrainës. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg do të ndihmojë Ukrainën duke paralajmëruar Moskën.

Midis 9 dhe 11 prillit misioni vëzhgues i OSB-së në rajonin e Ukrainës, Donjeck konstatoi 367 shkelje të armëpushimit, që është në fuqi mes trupave të Ukrainës dhe kryengritësve të mbështetur nga Rusia. Në rajonin fqinj Luhans janë konstatuar 224 shkelje. Një javë më parë OSBE-ja regjistroi gjithsej 26 incidente.

Dhuna në lindje të Ukrainës po intensifikohet. Qeveria e Ukrainës bën përgjegjëse qeverinë në Moskë. Rusia që prej disa javësh po dislokon gjithnjë e më shumë trupa në rajonet kryengritëse, në kufijtë e pjesës tjetër të Ukrainës në gadishullin e aneksuar të Krimesë në Detin e Zi. Sipas vlerësimeve të aleancën ushtarake perëndimore bëhet fjalë për disa dhjetëra mijëra forca. Kremlini nuk e mohon lëvizjen e trupave, por insiston, që kjo nuk ka të bëjë me përgatitje për ndërhyrje apo për ndonjë luftë.

Në sfondin e lëvizjes së trupave ruse presidenti i SHBA-së, Joe Biden, telefonoi me kreun e Kremlinit Vladimir Putin duke i propozuar atij një samit në një vend të tretë. Kremlini e konfirmoi propozimin e parashtruar në telefon nga Biden, por e la të hapur, nëse Putin do ta pranojë ose jo këtë ftesë.

“Kjo është lëvizja më e madhe e trupave që pas pushtimit të Krimesë në mars 2014”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel. “Ne jemi seriozisht të shqetësuar. Lëvizjet e Rusisë janë të pajustifikuara dhe të pashpjegueshme. Rusia duhet t’u japë fund menjëherë provokimeve dhe ta çtensionojë urgjentisht situatën”, kërkoi Stoltenberg në një takim të Komisionit NATO-Ukrainë në kuartierin qendror të aleancës. Ukraina kërkoi një mbledhje krize për t’u konsultuar lidhur me kërcënim rus në rritje.

 

LEXO EDHE:

Back to top button