Natyra është spitali dhe farmacia e tyre: Shimpanzetë përdorin “ndihmën e parë” të pyllit
Shimpanzetë në Ugandë janë filmuar duke përdorur bimë medicinale në një sërë mënyrash për të trajtuar plagët e hapura dhe lëndime të tjera.

Gjatë hulumtimit që pasoi zbulimin e vitit të kaluar se shimpanzetë kërkojnë dhe hanë me vetëdije bimë të caktuara për vetëshërim, shkencëtarët i gjurmuan dhe i vëzhguan këto kafshë për të përcaktuar se si ato përballen me lëndimet.
Shkencëtarët nga Universiteti i Oksfordit, në bashkëpunim me një ekip nga Pylli Budong, kanë filmuar shimpanzetë duke përdorur bimë si “ndihmë e parë në pyll”, për veten e tyre dhe herë pas here për anëtarët e tjerë të specieve të tyre.
Studimi i tyre, i cili përfshinte analizimin e të dhënave të dekadave nga studiues të tjerë, u përkthye në një katalog të mënyrave të ndryshme se si shimpanzetë përdorin burimet natyrore të pyjeve për kujdes dhe shërim.
Studiuesit thonë se studimi, i botuar në revistën Frontiers in Ecology and Evolution, ofron prova të mëtejshme se primatët, përfshirë shimpanzetë, orangutangët dhe gorillat, përdorin ilaçe natyrale në një sërë mënyrash për të ruajtur shëndetin në natyrë.
Hulumtuesja kryesore Elodie Fryman shpjegon se ekziston “një repertor i tërë sjelljesh që shimpanzetë përdorin kur janë të sëmura ose të lënduara për t’u vetëmjekuar dhe për të ruajtur higjienën”.
“Disa nga këto sjellje përfshijnë përdorimin e bimëve që rriten këtu në pyll. Shimpanzetë i vendosin ato direkt mbi plagë ose i përtypin më parë dhe më pas e aplikojnë materialin bimor të përtypur në plagën e hapur”, vuri në dukje ajo.
Studiuesit analizuan pamjet e një shimpanzeje shumë të re femër që përtypte bimë dhe më pas i aplikoi ato në një plagë në trupin e nënës së saj.
Ata gjetën gjithashtu të dhëna të shimpanzeve që trajtonin plagët e individëve të tjerë me të cilët nuk kishin lidhje gjaku.
Kjo, siç shpjegon Dr. Fryman, është veçanërisht emocionuese “sepse ofron prova të mëtejshme se shimpanzetë në natyrë kanë empati”.
Disa nga qindra vëzhgimet e regjistruara të studiuara nga Dr. Fryman dhe kolegët e saj vijnë nga ditarët e një stacioni në terren në pyllin Budongu.
Ky ditar përmban të dhëna anekdotike që datojnë që nga vitet 1990.
Është një libër në të cilin bashkëpunëtorë vendas, studiues dhe vizitorë kanë kaluar vite duke shkruar përshkrime të sjelljeve interesante të shimpanzeve që kanë vëzhguar.
Në atë libër, ka edhe histori për shimpanzetë që vendosnin gjethe mbi plagë dhe ndihmonin shimpanzetë e tjera të hiqnin kurthet nga gjymtyrët e tyre. Janë vërejtur gjithashtu disa zakone të habitshme higjienike që ngjajnë me ato të njerëzve.

Një hyrje në libër përshkruan një shimpanze që përdor gjethe për t’u fshirë pasi ka bërë jashtëqitje.
Ky ekip studiuesish kishte identifikuar më parë disa nga bimët që shimpanzetë i kërkonin dhe i hanin me vetëdije kur ishin të lënduara.
Shkencëtarët morën mostra të këtyre bimëve, i testuan dhe zbuluan se shumica e tyre kanë veti antibakteriale.
Shimpanzetë nuk janë të vetmit majmunë të mëdhenj që tregojnë njohuri për mjekësinë bimore.
Një studim i kohëve të fundit dokumentoi një orangutang në natyrë duke përdorur lëndë bimore të përtypura për të trajtuar një plagë në fytyrë.
Shkencëtarët besojnë se studimi i sjelljes së këtyre majmunëve në natyrë, si dhe një kuptim më i thellë i bimëve që përdorin kur janë të sëmurë ose të lënduar, mund të ndihmojë në kërkimin e ilaçeve të reja.

Dr. Elodie Fryman i tha BBC News se sa më shumë që mësojmë rreth sjelljes dhe inteligjencës së shimpanzeve, “aq më shumë e kuptojmë se sa pak ne njerëzit dimë në të vërtetë për botën natyrore”.
“Nëse dikush do të më linte këtu, në këtë pyll, pa ushqim dhe ilaçe, dyshoj se do të mbijetoja gjatë, veçanërisht nëse do të isha i plagosur ose i sëmurë.”
“Por shimpanzeve u pëlqen këtu sepse dinë si t’i qasen sekreteve të këtij vendi dhe si të gjejnë gjithçka që u nevojitet për të mbijetuar në mjedisin e tyre.”