Navalny: Duhet të ndalohet hyrja e oligarkëve rusë në BE

Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny, tha se Bashkimi Evropian duhet të marrë qëndrim më të ashpër ndaj oligarkëve rusë, që janë të afërt me Kremlinin.

Navalny, i cili është duke u rikuperuar në Gjermani, pasi është helmuar me një agjent nervor në muajin gusht, tha për gazetën gjermane Bild se sanksionet kundër gjithë vendit nuk funksionojnë.

“Gjëja më e rëndësishme është ndalesa e hyrjes [në BE] për ata që përfitojnë nga regjimi dhe ngrirja e pasurisë së tyre”, tha Navalny, duke shtuar se këtu bëjnë pjesë “oligarkë dhe zyrtarë të lartë rusë”.

“Ata përvetësojnë para, vjedhin miliarda dhe në fundjavë fluturojnë për në Berlin ose Londër, blejnë apartamente të shtrenjta dhe ulen në kafene”, tha Navalny në intervistën dhënë gazetës Bild.

Navalny është sëmurë në një fluturim nga Siberia në Moskë më 20 gusht dhe ka kaluar gati tri javë në gjendje kome.

Dy ditë më vonë, ai është transferuar në spitalin Charite të Berlinit, ku mjekët kanë gjetur gjurmë të agjentit nervor Noviçok në trupin e tij.

Gjetjet e tyre janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga laboratorët në Francë dhe në Suedi.

Kremlini e mohon helmimin e Navalnyt dhe Qeveria ruse i ka rezistuar presionit ndërkombëtar për të hapur hetime në lidhje me rastin.

Komentet e Navalnyt për gazetën Bild vijnë në kohën kur Gjermania po diskuton me partnerët e saj, se çfarë veprimesh të merren, në përgjigje të helmimit.

Opsionet përfshijnë ngrirjen e pasurive ose ndalimet e udhëtimit për rusët që konsiderohet se janë të përfshirë në rastin Navalny, sanksionet ekonomike dhe ndalimin e tubacionit Rrjedha e Veriut 2.

Ky tubacion është afër përfundimit në Detin Baltik dhe do të transportonte gaz nga Rusia në Gjermani.

LEXO EDHE:

Back to top button