Ndahet nga jeta kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare

Ndahet nga jeta kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, vdiq në moshën 88-vjeçare pas një arresti kardiak në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Kadare lindi në vitin 1936 në Gjirokastër. Qyteti i tij, për të cilin shkroi romanin “Kronikë në Gur”, bën pjesë në trashëgiminë botërore që mbron UNESCO-ja. Tridhjetë vjet të karrierës së shkrimtarit, Kadare i jetoi në Shqipërinë komuniste, ku edhe shkroi kryeveprat: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Dimri i madh” e “Ura me tri harqe”. “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, gazeta amerikane Boston Globe e përshkroi si “roman të fuqishëm dhe prekës”. Ai, gjithashtu, hyri në 100 librat e shekullit të gazetës Le Monde. Librat e tij tashmë janë përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës. Shumë prej tyre kanë qenë të ndaluar në Shqipërinë komuniste, ndër to edhe “Pallati i ëndrrave”, ku Kadare shtjellon marrëdhënien pushtet-individ. Në një intervistë për gazetën Financial Times në vitin 2010, Kadare tha se është më së shumti krenar për këtë vepër. “Është shkruar në vitin 1980 dhe është botuar një vit më vonë, gjatë periudhës më të zezë të tiranisë shqiptare. Ishte një libër kundër asaj tiranie”, tha Kadare. Për vitet e diktaturës shkroi edhe në veprat: “Piramida” e “Koncerti”. Kadare emigroi në Francë në vitin 1990, pasi bëri deklarata në favor të demokratizimit. Në vitin 1996 u bë anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale dhe Politike. Më 1998, kur edhe nisi lufta në Kosovë, Kadare publikoi librin “Tri ditë zie për Kosovën”. Kadare fitoi disa çmime ndërkombëtare. Me vite, u përmend edhe si pretendent i mundshëm për Çmimin Nobel për Letërsinë. Vitin e kaluar, presidenti francez, Emanuel Makron, i dha titullin “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit” gjatë një vizite që bëri në Tiranë. Në dekadat e fundit, Kadare jetoi dhe shkroi midis Parisit e Tiranës. Duke reaguar pas lajmit, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se “Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne”. Për ndarjen nga jeta të gjeniut të letrave shqipe ka reaguar edhe kreu i qeverisë, Edi Rama. “Tani nuk është më gojëdhanë, Ismaili nuk shkruan më”, thotë Rama. Kadare e ngriti letërsinë dhe kulturën shqiptare “në majat e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit botëror”, tha kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button