Ndahet nga jeta solistja e parë e trupës së baletit shqiptar, Ganimet Vendresha

Ndahet nga jeta solistja e parë e trupës së baletit shqiptar, Ganimet Vendresha

Solistja e parë e trupës së baletit shqiptar, Ganimet Vendresha është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare.

Mbesa e saj, Ajola Xoxa përmes një postimi në Facebook bën me dije se Vendresha është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme.

Homazhet për Vendreshën do të kryhen të premten paradite në Teatrin e Operas dhe Baletit.

“Gjyshja ime e mirë, Ganimet Vendresha, u nda nga jeta mbrëmë, e qetë dhe në paqe, siç e jetoi të gjithë jetën e saj, rrethuar nga njerëzit e dashur, duke lënë pas tek kushdo kujtimin e njeriu te bukur brenda dhe jashtë, dhe tek ne një dhimbje pambarim. Ajo i dha aq shume Shqipërisë së saj dhe kujtdo pati fatin ta kishte ne jetën e vet.

Homazhet do te kryhen nesër, 30 shtator, nga ora 10:00 deri ne 12:00 ne Teatrin e Operas dhe Baletit dhe varrimi ne orën 13:00 ne varrezat e Tufinës.”

Ganimet Vendresha në vitin 1949, mbaroi shkollën artistike Jordan Misja në Tiranë, në klasën e pianos dhe më pas filloi të punonte në Ansamblin e Këngës dhe Valleve në Filarmoninë Shqiptare. Më 1 maj të vitit 1950, ajo bëri debutimin e saj si soliste, duke kërcyer në skenën e Filarmonisë, në një koncert të rastit.

Në nëntor të vitit 1950, ajo filloi të studionte në Moskë, ku studioi në shkollën e vallëzimit klasik në Teatrin Bolshoi. Së bashku me ekipin Bolshoi ajo luajti në turne në 9 Republika të ish-Bashkimit Sovjetik.

Ajo u kthye në Tiranë në gusht të vitit 1956 dhe u angazhua si soliste në Teatrin e Operës dhe Baletit. Deri në vitin 1981 ajo ishte solistja e parë e kësaj skene, vallëzoi në të gjitha premierat e përgatitura nga ekipi i Teatrit. Në vitin 1963 ajo u shfaq në rolin e Hajrijes në baletin e parë në Shqipëri, Halili dhe Hajria.

LEXO EDHE:

Back to top button