Ndërron jetë luftëtari rus pasi konsumoi shalqi të helmuar

Tragjedi në sportin e arteve marciale mikse (MMA). Luftëtari rus Alexander Pisarev ka ndërruar jetë në moshën 33-vjeçare, pasi kishte konsumuar një shalqi të helmuar. Sportisti u gjet i pajetë në shtëpinë e tij nga babai i tij, më 30 tetor.
“Alexander Pisarev ka ndërruar jetë në gjumë dhe nuk ka patur probleme kronike me shëndetin. Sipas hetimeve paraprake, vdekja ka ardhur si pasojë e konsumimit të një ushqimi të helmuar”, u shpreh një anëtar i stafit të sportistit rus për Agjensinë Ruse të Lajmeve, TASS.
Ndërsa bashkëshortja e sportistit, është shtruar në spital, gjithashtu e helmuar nga ushqimi, por jashtë rrezikut për jetën. Babai i Pisarev u kthye në apartament në mëngjes, pasi nxori qenin shëtitje dhe zbuloi se djali i tij, i shtrirë në krevat, nuk po merrte frymë.
“Pashë dhomën dhe të dy po flinin. U afrova dhe kuptova se djali im nuk po merrte frymë. Kishte disa fraktura të vogla në gishtat e dorës, si pasojë e luftimeve të fundit, por kjo gjë nuk ishte shqetësuese. Ne hamë të njëjtin ushqim dhe jetojmë së bashku”, tha babai i sportistit.