Ndërtimet pa leje në Theth, shkarkohen nga detyra të gjithë drejtuesit e policisë së Shkodrës

Ndërtimet pa leje në Theth, shkarkohen nga detyra të gjithë drejtuesit e policisë së Shkodrës

Janë shkarkuar nga detyra të gjithë drejtuesit e policisë së Shkodrës. Është shkarkuar nga detyra Fatmir Lleshi, drejtor i policisë Shkodër dhe shefi i komisariatit, Nik Nikolla. Shefi i Stacionit të Thethit, po ashtu është pezulluar nga detyra.

Kreu i Policisë, Ilir Proda tha në një konferencë për media se ecuria disiplinore ka filluar edhe ndaj inspektorit të zonës dhe specialistit të krimeve, “të cilët po njësoj, nuk e meritojnë të jenë më pjesë e trupës së Policisë së Shtetit”, raporton Tch.

“Do të ketë kontroll të përditshëm dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo neglizhencë nga cilado strukturë e policisë që ka për detyrë të parandalojë apo godasë këto paligjshmëri, pa pritur që problematika të bëhet e patolerueshme si në rastin e Thethit”.

“Dua të jem shumë i qartë. Pavarësisht se Policia e Shkodrës ka bërë detyrën e vet duke referuar në prokurori çështjen e atij kompleksi të tërë ndërtimi pa leje mu në mes të një zone të mbrojtur, kjo as nuk ia heq përgjegjësinë Drejtorisë së Qarkut të Shkodrës për ndërtimet pa leje në Theth, që fatkeqësisht doli se nuk ishin një e dy dhe as nuk mund të mbetet përgjegjësi e përveçme e një shefi stacioni, e një inspektori zone apo e një specialisti krimesh”.

Prej disa ditësh ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike në disa qytete të vendit, përfshirë edhe Thethin.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u ka dhënë ultimatum strukturave që të lirojnë hapësirat publike të zaptuara nga bizneset.

Një ditë më parë banorët e zonës së Thethit bllokuan urën hyrëse për në fshat dhe u përplasën me policinë.

LEXO EDHE:

Back to top button