Ndihma për të rrezikuarit, drejt finalizimit

Pakoja e gjashtë për të ndihmuar ekonominë do të përmbajë disa masa të destinuara ekskluzivisht për veprimtaritë që janë të mbyllura ose sektorët më të prekur. Ekipi ekonomik i qeverisë, sipas informatave të Alsat, në seancën e nesërme të qeverisë do të propozojë sërish dhënien kredive pa interes dhe ndihma financiare të pakthyeshme. Jozyrtarisht, kreditë pa interes që do të jepen përmes Bankës për Zhvillim do të jenë për transportuesit, transportuesit e pasagjerëve dhe mediat. Tani për tani, dihet se masën që e paralajmëroi zëvendëskryeministri Fatmir Bytiqi në “Magazinën Ekonomike” me siguri do të propozohet në seancën e nesërme. Hotelierëve që u mbyllën për shkak të masave kufizuese do t’u jepet ndihmë e pakthyeshme e cila llogaritet si përqindje e të ardhurave që ata e kanë realizuar në tre muajt e parë të vitit.

https://www.youtube.com/watch?v=M2iCfoflb28

Do të mbulojmë një pjesë të të ardhurave të humbura këto dy javë të objekteve gastronomike , jemi duke bërë përllogaritjet e fundit të përqindjes së mbulimit të të ardhurave të humbura. Por, këtë model jemi duke e zbatuar për herë të parë, mendojmë se është një model që do t’i ndihmojë vërtetë sadopak në mbulimin e humbjeve, humbjen do ta ndajnë edhe punëdhënësit edhe ne si shtet, por mendojmë se ky është model më i drejtë në një moment të caktuar- deklaroi Fatmir Bytyqi – Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Deri më tani nuk ka detaje se sa është planifikuar të peshojë pakoja e gjashtë e masave ekonomike. Ministria e Financave nuk iu përgjigj pyetjeve nëse buxheti ka siguruar para për këto masa, apo do të duhet ende të sigurohen.

Andrea Cobanova

LEXO EDHE:

Back to top button