Ndryshimet e Kodit Zgjedhor arrijnë në Kuvend, modeli zgjedhor mbetet i njëjti
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Në Kuvend arritën propozim ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Ndonëse u diskutua shumë, njësitë zgjedhore në zgjedhjet parlamentare nuk do të ndryshojnë. Nuk do të ketë as prag e as lista të hapura. Kjo pasi nuk u arrit konsensus i plotë mes partive politike. Propozimet tjera ishin të kalohet në tre ose në tetë njësi zgjedhore. Si njësi e shtatë do të mbetet diaspora por e njëjta tani do të votojë online dhe jo fizikisht në ambasada. Kjo do të vlejë duke filluar nga zgjedhjet presidenciale 2029.
Dallime ka pasur edhe rreth mënyrës së ndarjes së mjeteve për reklamim dhe fushatë. Partia “E Majta” ankohet se nuk do tu ndahen mjete të mjaftueshme sa u takojnë dhe paralajmërojnë bllokim të propozim ndryshimeve. Kërkojnë Kod tërësisht të ri Zgjedhor.
“Ne do ta kthejmë me bllokim të Kodit Zgjedhor dhe njëkohësisht thërrasim Gjykatën Kushtetuese të ngritë procedurë për kushtetueshmërinë e nenit 76-d e cila e sheh “Të Majtën” si një dele të zezë dhe nuk e parasheh gjatë financimit shtetëror. Për të gjithë ka të holla vetëm për “Të Majtën” nuk ka”, tha Dimitar Apasiev nga E Majta.
Deputeti i VMRO-së Antonio Milloshoski tha se akuzat e së Majtës nuk janë të vërteta ndërsa propozimi i tyre ka qenë që ndarja e mjeteve të bëhet sipas numrit të deputetëve, gjë që nuk është pranuar. U shpreh se E Majta dhe partitë e tjera do të kenë mundësi të propozojnë amendamente.
“Në fund të gjithë pjesëmarrësit arritën konsensus të përbashkët, respektivisht 42% të jenë të ndahen mes dy partive në pushtet, 42% nga dy partitë në opozitë ndërsa 8% të ndahen mes atyre që kanë grupe të deputetëve, respektivisht “E Majta” dhe “ZNAM”. Mjetet tjera do të shfrytëzoheshin nga partitë që nuk kanë grupe të deputetëve apo partitë që nuk janë pjesë e Kuvendit”, u përgjigj Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
Kundër janë edhe Iniciativat qytetare të cilat janë të përfaqësuara në këshillat komunale. Kërkojnë ndryshime urgjente dhe përfshirjen e tyre në vendimmarrje. Ata kërkojnë trajtim të barabartë të iniciativave qytetare gjatë proceseve zgjedhore ashtu si partitë politike. Megjithatë në propozim ndryshimet e Kodit nuk është paraparë zgjidhje mbi numrin e nevojshëm të nënshkrimeve për kandidim të pavarur në zgjedhje./Alsat.mk








