Ndryshimet në konceptin mësimor, mirëpriten nga një pjesë e prindërve

Ndryshimet në konceptin mësimor, mirëpriten nga një pjesë e prindërve

Gazetare: Melihate Rustemi

Një pjesë e prindërve kanë mirëpritur paralajmërimet e ministres së Arsimit, Vesna Janevska për ndryshime në konceptin mësimor, shkruan Alsat.

Nga nisma “Libra dhe mësim patjetër të ketë” thanë se përveç rikthimi i lëndëve në të veçanta është paralajmërim shumë i rëndësishëm edhe funksionimi i shkollave në një turn, do të lehtësonte lëvizjen e nxënësve.

“Reformën pozitive që e paralajmëroi ministrja është të kemi proces mësimor vetëm në një turn. Çdo kund në botë kjo funksionon, tash nuk e di sa do të lejojnë kushtet tona në Maqedoni kjo të realizohet megjithatë kjo do të jetë një lehtësim i madh për nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit. Vërtet nuk është njerëzore që një fëmijë të kthehet në shtëpi pas orës 19 dhe mos të ketë fuqi ti kryej obligimet tjera mësimore”, tha Dragana Spasevska, “Libra dhe mësim patjetër të ketë”.

Gjithashtu, Spasevska kujtoi ministren e Arsimit se reforma duhen bërë në mësimin inkluziv. Siç tha ajo, fëmijët me nevoja të posaçme duhet të kenë kushtet dhe trajtimin e merituar.

“Në Belgjikë, fëmijët deri në klasën e katërt janë të përfshirë në shkolla normale ku ndiqet rritja dhe zhvillimi i tyre. Nëse nuk ka përparim në arsimimin e tyre kthehen në shkolla speciale, të tjerët që kanë përparim mbeten të përfshirë në shkollat normale. Kjo duhet të merret parasysh për inkluzivitetin që fëmijët të marrin atë që meritojnë”, u shpreh tutje Dragana Spasevska, “Libra dhe mësim patjetër të ketë”.

Ministrja e re e Arsimit, Vesna Janevska ka paralajmëruar një sërë ndryshimesh në arsim, madje edhe ndryshime në konceptin mësimor. Janevska ka deklaruar se në vitin e ri shkollor disa nga lëndët tashmë të integruara do të bëhen të posaçme ndërsa për vitin shkollor 2025/26 parashihen planprograme të reja mësimore./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button