Ndryshimet në sistemin “Termini Im” , shkaktuan pakënaqësi tek mjekët amë
Ndryshimet në sistemin “Termini Im” , shkaktuan pakënaqësi tek mjekët amë

Gazetare: Linda Ebibi
Çdo pacient që paraqitet për kontroll tek mjeku amë, duhet të përditësojë numrin e telefonit. Ky është ndryshimi i fundit në sistemin “Termini im” i cili nga mjekët amë po shihet si ngarkesë në punën e tyre. Ata në shenjë proteste, për një orë nuk kontrolluan pacientë. Ndryshime në këtë sistem zyrtarisht do të hyjnë në fuqi më 3 mars.
Nga Shoqata e Mjekëve Privatë thonë se për këto ndryshime nuk janë njoftuar paraprakisht dhe se të njëjtat sipas tyre shkaktojnë probleme tek shumë pacientë. Mjekët kërkojnë kthimin e versionit të vjetër të sistemit.
“Nuk mundet që ne të verifikojmë tërë ditën telefona, ne nuk jemi operatorë ne jemi mjekë dhe kërkojmë të na respektojnë kohën, të na lënë që të shërojmë, të këshillojmë dhe të trajtojmë probleme të pacientëve tonë. Sot kolegët tanë kanë qenë shumë të revoltuar dhe na është thënë se kjo është e papranueshme”, deklaroi Lilija Çollakova, kryetare e Shoqatës së Mjekëve Privatë amë.
Nga Ministria e Shëndetësisë sqarojnë se kjo masë synon të siguroj që pacientët të marrin njoftime në kohë për terminët e tyre për kontrollet shëndetësore.
“Ky ndryshim bazohet në analizat që treguan se një numër i konsiderueshëm i pacientëve nuk paraqiteshin në terminet e tyre për shkak të numrave të vjetër të telefonit. Për shembull, më shumë se 50% e pacientëve me ekzaminime të planifikuara të gjirit nuk u paraqitën, duke rezultuar në humbjen e takimeve që mund të ishin përdorur për pacientë të tjerë”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Megjithatë, sistemi parashikon përjashtime në disa raste, emergjencat mjekësore, fëmijët dhe personat e palëvizshëm mund të verifikohen përmes një personi tjetër. Ndërkohë përdoruesit e aplikacionit “Shëndeti im” mund ta kryejnë verifikimin në mënyrë të pavarur, pa përfshirë mjekun e tyre amë. /Alsat.mk