Në 27 vende të BE-së, mbahen zgjedhjet për Parlamentin Europian

Në 27 vende të BE-së, mbahen zgjedhjet për Parlamentin Europian

Gazetare: Xhesika Sallahi

Rreth 400 milionë persona, shtetas të vendeve të Bashkimit Evropian do të votojnë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Këtë vit, zgjedhjet mbahen nga dita e sotme deri 9 qershor. Holanda është i vetmi vend i BE që mban votimin njëditor, sot. Ajo do të pasohet nga Irlanda të premten dhe pjesa tjetër e vendeve të BE gjatë fundjavës. Rezultatet priten të dielën mbrëma.

Me 176 vende nga 705 që nga fundi i sesionit të fundit plenar në prill, Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë është grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian. Grupi i dytë më i madh është grupi politik i Partisë së Socialistëve Evropiane të qendrës së majtë, e cila aktualisht mban 139 vende. Grupi liberal dhe pro-evropian Renew mban 102 vende përpara një aleance të përbërë nga parti politike të gjelbra dhe rajonaliste që mban 72 vende. Dy grupe me parti të ekstremit të djathtë, konservatorët dhe reformistët evropianë (ECR) dhe Identiteti dhe Demokracia (ID), mund të drejtohen për t’u bërë grupet e treta dhe të katërta më të mëdha politike në Parlamentin Evropian. Në zgjedhjet e vitit 2019, evropianët zgjodhën 751 ligjvënës. Pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE në vitin 2020, numri i euro deputetëve ra në 705. Pas zgjedhjeve, Parlamenti Evropian do të ketë 15 anëtarë shtesë, duke e çuar totalin në 720 anëtarë. Numri i anëtarëve të zgjedhur në çdo vend varet nga madhësia e popullsisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button