Në Athinë Vuçiqi ka kërkuar falje, Kovaçevski ka kritikuar Kurtin

Në Athinë Vuçiqi ka kërkuar falje, Kovaçevski ka kritikuar Kurtin

Gazetar: Luka Andreev

Reagime të shumta në vend dhe në rajon shkaktoi deklarata e fundit e ministrit serb të mbrojtjes Milosh Vuçeviq. Ai tha se Maqedonia dhe Mali i Zi i kanë bërë padrejtësi Serbisë duke njohur Kosovën si shtet të pavarur, dhe me këtë kanë ndërhyrë në punët e brendshme të Serbisë. Sipas tij, një veprim i tillë “do t’u përplaset për kokë Shkupit dhe Podgoricës, ashtu si në Ukrainë”. Ai shtoi se ka mbështetje ndërkombëtare për planin e Shqipërisë së Madhe dhe nëse do të kishte qenë në vend të Maqedonisë dhe Malit të Zi, nuk do të kishte fjetur qetë pavarësisht anëtarësimit në NATO. Ministria e Punëve të Jashtme reagoi duke e cilësuar deklaratën si ndërhyrje nga zyrtarët serbë dhe kërkoi sqarime për deklaratën. Për këtë më pas me sqarime shtesë doli edhe vetë Vuçeviq. Në rrjetet sociale, ai shkroi se “përkundër të gjitha shkrimeve dashakeqe të mediave, Serbia mbetet një partner i besueshëm i të gjithë fqinjëve”. Megjithatë, ai shtoi se mosrespektimi i integritetit territorial të Serbisë nuk ishte për t ‘u lavdëruar, dhe ato që i ka thënë janë fakte.

Në rrjetet sociale u zhvillua debat i madh derisa kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç u ulën në të njëjtën tryezë në Athinë.

“Ai më siguroi se si përfaqësues i shtetit serb, ai e konsideronte popullin maqedonas dhe shtetin maqedonas jashtëzakonisht miqësor dhe se nëse ndonjë shtetas i ynë është ofenduar nga ndonjë mesazh i shtetit serb, ai personalisht do të kërkonte falje,” tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Vuçiq kërkoi falje, por nuk la pa përmendur vizitën e kryeministrit të Kosovës në Tetovë, si dhe zbuloi detaje se si ka reaguar Kovaçevski ndaj Albin Kurtit.

“Thjesht do të doja t ‘u kërkoja zyrtarëve tanë, edhe kur nuk e kanë ndërmend, të jenë më të kujdesshëm dhe të mos dalë asgjë prej tyre që mund të përdoret nga disa dhe të na përfaqësojë neve njëlloj si Kurti. Bisedova me z. Kovaçevski për një kohë të gjatë dhe i thashë se nëse dikush në Maqedoninë e Veriut ndihet i ofenduar, pa problem, kërkoj falje, sepse maqedonasit janë vëllezërit tanë. Por ai me të vërtetë foli fuqishëm kundër Kurtit para të gjithëve dhe shumë njerëz mbetën të habitur,” deklaroi Aleksandar Vuçiq – President i Serbisë.

Ndaj deklaratës së ministrit serb të Mbrojtjes ka reaguar edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Sipas tij, kërcënimet ndaj stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë dhe Malit të Zi janë shumë të rrezikshme dhe të papranueshme dhe nuk duhet harruar se Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s, plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button