Në fundjavë rikthehet “Supermeni” në portën e Real Madridit

Andrij Lunin ishte në nivel në portën e Real Madridit, në muajt e kaluar, por për “Mbretërit” nuk ka dyshim se kush është numri 1 në skuadër. Tibo Kurtua është gati për rikthim dhe portieri belg do të shfaqet në mesin e lojtarëve të grumbulluarve për ndeshjen ndaj Kadizit në fundjavë.
Reprezentuesi belg pësoi një dëmtim të rëndë në gju më 10 gusht, duke këputur ligamentin e kryqëzuar dhe duke dëmtuar meniskun, pas së cilës Kurtua kaloi disa muaj me paterica, përpara se të fillonte një program të gjatë rehabilitimi.
Ai do të kthehej në aksion në mesin e marsit, por lëndoi sërish meniskun e tij në stërvitje, duke shtyer rikthimin e tij për gjashtë javë të tjera. Megjithatë, tashmë gjithçka është në rregull, mjekët dhanë dritën jeshile dhe pasi Ançeloti u bind për formën e Kurtua-s në stërvitjet e fundit, u vendos që ai të jetë titullar ndaj Kadizit.
Lunin pritet të rikthehet në portë në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve , kundër Bajern Munihut. Mirëpo në rast se Reali arrin në finalen e madhe, ka shumë mundësi që Kurtua të jetë në portë në stadumin “Uembli”.