“Gratë sundojnë këtu!” thotë Rigopula Pavlidis nga një fshat i largët në ishullin grek të Karpathos, një nga shoqëritë e pakta matriarkale të Greqisë. E ulur në tavolinën përballë dhomës, burri i saj, Janis, tundi kokën në heshtje.
“Ai nuk mund të bëjë asgjë pa mua, madje as të plotësojë formularin e taksave”, tha Rigopula me buzëqeshje teksa qëndiste veshjet tradicionale në punishten e saj.

Ndryshe nga pjesët e tjera të Greqisë patriarkale, gratë në Olimp kishin një rol udhëheqës në fshat.
I izoluar nga pjesa tjetër e ishullit, ky fshat spektakolar në majë të kodrës ka ruajtur këtë traditë shekullore që i mbijetoi Perandorisë Osmane në shekullin e 16-të dhe sundimit italian në shekullin e 20-të. Deri në vitet ’80 nuk kishte as një rrugë të asfaltuar për në Olimp.

“Ndër traditat që kanë mbijetuar është sistemi i trashëgimisë nga periudha bizantine, sipas të cilit pasuria e nënës i jepej vajzës së madhe”, tha historiani vendas, Giorgos Kabanakis.
Pra rrobaqepja Rigopula ka trashëguar edhe 700 pemë ulliri nga e ëma. “Familjet nuk kishin pasuri të mjaftueshme për ta ndarë mes fëmijëve të tyre… Dhe sikur t’ua kishim lënë trashëgiminë burrave, ata do ta kishin shpërdoruar atë. Gratë greke tradicionalisht u zhvendosën në shtëpinë e burrit të tyre pas martesës. Në Olimp ndodhi e kundërta. Rëndësia e grave shihej edhe në emrat e tyre. “Vajza më e madhe u emërua sipas gjyshes së saj nga nëna, ndryshe nga pjesa tjetër në Greqi, ku do të vihej emri i nënës së babait të saj”, tha Kabanakis. “Shumë gra ende mbajnë mbiemrin e nënës së tyre, sesa të burrit të tyre”, shtoi ai.

Roli i grave në Olimp u forcua më tej në vitet 1950, kur burrat nga zonat rurale filluan të emigronin për punë, kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane, duke lënë gratë dhe vajzat e tyre vetëm për t’u kujdesur për familjet dhe për të menaxhuar pronat bujqësore.
Nuk kishte zgjidhje
“Nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të punonim”. Ishte e vetmja mënyrë për të mbijetuar”, kujton 67-vjeçarja Anna Ledakis, teksa po mblidhte angjinare pranë Olimpit. Disa vite më parë, Anna Ledakis drejtonte një tavernë në Olimp. Tani atë rol e ka trashëguar vajza e saj e madhe, Marina. “Nuk e di nëse kemi qenë feministe të hershme… Por dua të theksoj se burri është kryefamiljari, dhe gruaja është qafa”, tha Marina, e cila ishte 40 vjeçe.

Vajza e Marinës, Anna, ishte vetëm 13 vjeçe, por e dinte që një ditë do të merrte “stafetën e dirigjentit”. Është trashëgimi e gjyshes sime dhe unë do të kujdesem për të me krenari”, tha Anna.
Por ky sistem “feminist” i trashëgimisë favorizonte vetëm fëmijët më të mëdhenj, tha Alain Chabloz i Shoqërisë Gjeografike me bazë në Gjenevë, i cili studioi këtë temë. “Djemtë më të vegjël u detyruan të mërgonin, ndërsa vajzat më të vogla duhej të qëndronin në ishull për të ndihmuar të moshuarit. Një lloj kaste sociale është krijuar në ishull”, tha ai. “Gratë janë ato që mbajnë traditën,” tha Yannis Hatsivalis, një artist vendas që krijoi statujën ikonike të gruas olimpike që shikon nga deti, në pritje të kthimit të burrit të saj.

Gratë e moshuara të fshatit mbanin tradicionalisht kostume të qëndisura të përbëra nga përparëse me lule, shalle dhe çizme lëkure. Kjo trashëgimi e çmuar ishte edhe pjesë e pajës së vajzave, ndërsa kostumet mund të kushtojnë deri në 1000 euro dhe kërkonin orë pune.

Irina Hatsipapa, një bukëpjekës 50-vjeçare, ishte gruaja më e re nga Olimpi që ende mbante këtë kostum çdo ditë. “Vajzës time e kam mësuar qëndisjen, por përveç festave ajo nuk vesh kostume sepse nuk përshtaten me jetën e përditshme”, tha ajo. Nëna 70-vjeçare e Irinës shtoi: “Kostumet po bëhen vetëm folklor feste… Bota jonë po zhduket”.








