Në kuvend u mbajt debati lidhur me nevojën e ndryshimeve ligjore për të rritur sigurinë e qytetarëve në komunikacion
Në kuvend u mbajt debati lidhur me nevojën e ndryshimeve ligjore për të rritur sigurinë e qytetarëve në komunikacion

Gazetar: Zekirija Haxhiu
Me iniciativë të shumicës parlamentare, në Kuvend u mbajt debat lidhur me nevojën e ndryshimeve ligjore, me qëllim rritjen e sigurisë së qytetarëve në komunikacion. Në debat morën pjesë ministri i brendshëm Pançe Toshkovski, ministri i drejtësisë Igor Fillkov, drejtori i Këshillit Republikan për Siguri në Trafik, Goran Angellovski, gjykatës, prokurorë, juristë si dhe organizata joqeveritare. Sipas ministrit të brendshëm Pançe Toshkovski, problemi nuk qëndron te lartësia e gjobave, por te mos ndëshkueshmëria. Zgjidhja sipas tij duhet të jetë sistematike, respektivisht në digjitalizimin e sistemit ndëshkues përmes sistemit “Safe City”. Toshkovski gjithashtu kërkon ashpërsimin e dënimit në nenin 297 që ka të bëjë për sigurinë në komunikacion. Në kombinim të veprës penale, vepra mund të përkthehet në gjoba derisa nuk ka pasoja në njerëz dhe pronë ndërsa dënim me burg derisa ka dëm në njerëz dhe prona. Në rastin e Frosinës, ky nen parasheh më së shumti tre vjet burg.
“Neve na nevojitet zgjidhje sistematike e cila do të garantojë se sanksionet zbatohen vazhdimisht dhe deri në fund e jo vetëm në periudha kur fokusi i opinionit është rritur. Në këtë kontekst, si zgjidhje më e logjikshme dhe më efikase është digjitalizim dhe automatizim. Për këtë qëllim, tanimë disa muaj me radhë punojmë për implementim të tërësishëm dhe efikas të sistemit “Qytet i sigurt” i cili do të mundësojë konstatim automatik të shkeljeve në komunikacion, përmes digjitalizimit të procesit, me çka do të eliminohet tërësisht ndikimi i faktorit njeri dhe mundësisë për keqpërdorime”, tha Pançe Toshkovski – Ministër i Brendshëm.
Ministri i drejtësisë Igor Fillkov, informoi se po punohet për ndryshime ligjore në ligjin për siguri në komunikacion, të cilat parashohin procedurë të posaçme për shkelje nga fusha e sigurisë në komunikacion. U bën thirrje gjykatësve që të jenë të paanshëm gjatë shqiptimit të dënimeve.
“Shkelje të caktuara në komunikacion duhet të jenë të rregulluara si vepra penale. Në këtë drejtim duhet të iniciohen ndryshime ligjore të cilat do ta zgjerojnë listën e veprave penale kundër sigurisë në komunikacion. Nevojiten ndryshime kundër veprave të rënda penale të cilat përfshijnë rrezik për jetën dhe patundshmërinë e njerëzve si dhe për mos dhënien e ndihmës së parë për të lënduarit në aksident”, u shpreh Igor Fillkov – Ministër i Drejtësisë.
Goran Angellovski nga Këshilli për Siguri në Trafik, propozoi që shkelje të caktuara në komunikacion, të llogariten si vepra penale, veçanërisht nëse vetura drejtohet me shpejtësi prej mbi 70km/h në vendbanime, si dhe nëse shoferi kapet me mbi 2promile alkool në gjak. Vepër penale duhet të llogaritet edhe nëse ngasësi kapet pa patentë. Për këto, propozoi që të konfiskohet vetura, qoftë përkohësisht apo tërësisht. Vetëm në vitin 2024, nga aksidentet në trafik janë shënuar 142 viktima./Alsat.mk