Në Kuvend u zhvillua dëgjesa publike e kandidatëve për anëtarë të rinj të Këshillit të Agjencisë së Medias

Në Kuvend u zhvillua dëgjesa publike e kandidatëve për anëtarë të rinj të Këshillit të Agjencisë së Medias

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Në komisionin parlamentar për zgjedhje dhe emërime, kandidatët për anëtarë në Këshillin e Agjencisë për Media, një nga një prezantuan biografinë e tyre, duke treguar se cili do të jetë kontributi i tyre. Që në nisje të dëgjesës publike nuk munguan kritikat, sidomos kur biografinë e saj prezantoi kandidatja Nafije Selmani. Ajo nuk përmendi në asnjë moment aktivitetin e saj politik në dhjetë vitet e fundit. Për këtu u kujdes deputetja e Frontit Europian, Ilire Dauti. Ajo tha se kandidatura e Selmanit është në kundërshtim më ligjin, pasi ajo ka qene aktive në politikë, madje duke përmendur se në zgjedhjet e vitit 2021, bashkë kanë marrë pjesë në aktivitete partiake.

“Zonja Nafie së bashku me mua, kemi qenë bashkë në aktivitet politik jo shumë larg në vitin 2021. Jemi takuar si unë anëtarë e kryesisë së ASH-së dhe ajo si përfaqësuese e partisë Alternativa. Kjo është brenga ime të nderuar kolegë nuk kam asgjë personale…..A kanë njohuri se Nafija ka qenë kandidate për kryetare e Qytetit të Shkupit? A kanë njohuri që Nafija ka qenë kandidate për këshilltare në komunën e Çairit, madje ka qenë e zgjedhur si këshilltare? A kanë njohuri që Nafija ka qenë kandidate baraz edhe me mua që sot jam këtu si deputete në zgjedhjet e fundit parlamentare, si kandidate e Alternativës në listën VLEN?”, deklaroi Ilire Dauti – Deputete Fronti Europian.

Ndonëse kandidatja Nafije Selmani kishte të drejtë t’i replikojë deputetes Dauti në komision, këtë gjë nuk e bëri. Pasi doli jashtë me insistim të gazetarëve mohoi përfshirjen në parti politike duke prezantuar dokumente nga Regjistri Qendror dhe nga partia Alternativa, se ajo asnjëherë nuk ka qenë pjesë e organeve drejtuese të saj.

“Unë kam patur rol dhe angazhim në atë parti gjithmonë si një këshilltare për media ose për marrdhënie me publikun. Mirëpo rol në organet drejtuese asnjëherë as në partinë Alternativa por asnjë parti që ka funksionuar nga pluralizmi në 30 vitet e fundit asnjëherë nuk kam qenë në asnjë organ drejtues”, tha Nafije Selmani – Kandidate.

Por faktet nga e kaluara e flasin ndryshe. Nafije Selmani hiç më larg se në zgjedhjet e 24 majit, ishte kandidate për deputete në zonën e parë zgjedhore, e radhitur e gjashta në listën e koalicionit VLEN. Para kësaj, në vitin 2020, kreu i atëhershëm i Alternativës Afrim Gashi, në një takim me ambasadorin e atëhershëm të Francës më datë 4 mars, pati njoftuar se takimi është bërë bashkë me anëtaren e kryesisë qendrore të partisë, Nafie Selmani. E pyetur për këtë, Selmani tha se nuk e di se kush e ka menaxhuar atëkohë faqen e Gashit. Selmani gjithashtu ishte kandidate për kryetare të Qytetit të Shkupit në 2017 nga subjekti i atëhershëm politik Lëvizja Besa, por edhe këshilltare në komunën e Çairit në zgjedhjet lokale të vitit 2021, nga radhët e Alternativës. Përpos Selmanit, kritika pati edhe për Afrona Vervizollin. Ajo u bë e njohur për publikun në gusht kur Qeveria e emëroi si kryerevizore e fondeve IPA me propozim të Aleancës për Shqiptarët, krahu i Taravarit, por për një kohë shumë të shkurtër u shkarkua për shkak se nuk posedonte çertifikatë. Pas shkarkimit, koalicioni VLEN përmes njoftimit pati theksuar se Vervizolli shumë shpejtë do të rikthehet në funksion. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button