Në pikat kufitare në Kosovë ka filluar reciprociteti për targat

Policia e Kosovës ka filluar të heqë targat e veturave që hyjnë nga Serbia, duke aplikuar masa reciprociteti ashtu siç deri sot kanë autoritetet serbe me veturat e regjistruara në Kosovë. Veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë. Targat veturave u vendosen në xhamin para dhe prapa.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë seancës plenare tha se ky vendim nuk është marrë me dëshirë të Kosovës, por është imponuar nga “pala tjetër”.

Si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshjeje për lëvizje të lirë nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve serbë. Ato në asnjë mënyrë nuk kanë për qëllim të cenojnë të drejtën e lëvizjes së lirë qytetarëve serbë apo të provokojnë çfarëdo destabilizimi. Sikurse dje, sot edhe nesër, qytetarët serbë do të lëvizin lirshëm, të sigurt, të mbrojtur nga ligji dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës – deklaroi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak kanë dalë edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës. Në pikat kufitare në veri të Kosovës janë mbledhur qytetarë serbë për të shprehur pakënaqësinë e tyre për vendosjen e reciprocitetit sa i përket targave.

Kreu i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Goran Rakiq, tha se ky vendim është i drejtuar kundër popullit serb. Ai bëri thirrje që njerëzit të mos bien “pre e provokimeve dhe të mos provokojnë”, duke ftuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të gjejë një zgjidhje. Kosova kishte paralajmëruar e vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Çështja e targave ishte e rregulluar Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button