Në Qafë Thanë bashkohen barakat kufitare, përurohet “One Stop Shop”

Në Qafë Thanë bashkohen barakat kufitare, përurohet “One Stop Shop”

Gazetar: Adnan Qaili

Në Qafë Thanë u bashkuan barakat e pikave kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Autoritetet e të dyja palëve këtë e quajnë shkrirje kufijsh dhe lehtësim të procedurave doganore. Por, nga praktika me dy pikat tjera kufitare të Tabanocës dhe Bellanocës, modeli “One Stop Shop” ka treguar se kontrollet policore dhe doganore janë njësoj, madje puna në një sportel ka bërë që mos të arrijnë të kontrollohen dy makina njëherësh nga policët shqiptarë dhe maqedonas ngaqë veturat pengojnë njëra-tjetrën. Ministritë e brendshme të Shkupit dhe Tiranës nuk kanë një sistem të integruar të të dhënave mes veti dhe vazhdojnë të zbatohen dy kontrolle në hyrje dhe në dalje. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se kufij nuk ka në Evropë dhe nuk duhet të ketë as në Ballkan, që do të lehtësojë lirinë e lëvizjes.

“Me këtë lehtësohet puna e 11 mijë kompanive të vendit tonë, të cilat janë të orientuara ndaj eksportit dhe tregtisë me shtetet tjera. Në këtë mënyrë lehtësojmë qasjen në Portet detare të Shqipërisë, madje edhe të vendeve turistike në Shqipëri dhe anasjelltas në pikat turistike të Maqedonisë së Veriut, ndër më të mirat që janë pikërisht pak kilometra nga kjo pikë kufitare. Ne nuk ndalemi këtu!”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i RMV-së.

Kryeministri Edi Rama tha se me programin e ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll”, “zhbëhet” kufiri mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave. Por, Rama tha se ende ka kohë të bëhet një sistemi i unifikuar doganor dhe kufitar.

“Kemi parë në vetë të parë se si nga e thëna në të bërë është vërtetë në mes një det i tërë sepse ka shumë pengesa që vijnë nga inercia e së shkuarës dhe nga ana tjetër nga paragjykimi për liberalizimin e lëvizjes. Kjo përveç lehtësisë sjell më shumë transparencë dhe më pak rrezik për praktika të këqija në trajtimin e qytetarëve dhe subjekteve tregtare”, tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Vetëm për 6 muajt e parë të këtij viti në Qafë Thanë kanë lëvizur mbi 770 mijë qytetarë dhe mbi 352 mijë automjete. Por, në pikën më të madhe kufitare të vendit, atë të Tabanocës ku sistemi “One Stop Shop” funksionon prej vitesh që lidh Korridorin 10 me Serbinë, pritjet janë me orë të tëra në pikun e sezonit. Sipas të dhënave të MPB-së në këtë fundjavë 29-30 korrik në vendkalimin kufitar Tabanocë kanë lëvizur rreth 100.000 automjete. Ardhja e mërgimtarëve dhe e turistëve ka bërë që pritjet të jenë rreth 3 orë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button