Në Qendrën për Kulturë “Grigor Përliçev” në Ohër pezullohet mbajtja e evenimenteve

Në Qendrën për Kulturë “Grigor Përliçev” në Ohër pezullohet mbajtja e evenimenteve

Gazetar: Miki Trajkovski

Qendra Kulturore në Ohër ka marrë ndalesë për punë, pasi gjatë një inspektimi të jashtëzakonshëm në objekt janë konstatuar një sërë mangësish. Edhe pse ka poseduar të gjitha dokumentet planore në përputhje me Ligjin për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe të gjitha instalimet e nevojshme për një objekt të këtij lloji, një pjesë e tyre nuk kanë funksionuar për vite me radhë, edhe pse në këtë hapësirë mbahen numër i madh evenimentesh kulturore dhe evenimente të tjera. Institucionit i është caktuar afat deri më 1 qershor për t’i përmbushur detyrimet, përndryshe nuk do të mund të vazhdojë me punë dhe ndalesa do të mbetet në fuqi.

“Drejtori më informoi se gjatë analizimit të gjendjes së instalimeve është konstatuar se rrufepritësi diku ka ndërprerje dhe duhet të ndërtohet i ri ose të rikonstruktohet ai ekzistues. Sistemi për alarm të automatizuar për zbulimin e zjarrit është tashmë i vjetërsuar dhe nuk mund të përditësohet, prandaj duhet të instalohet sistem i ri. Ky është sistem për zbulimin automatik të zjarrit, i cili reagon ndaj tymit dhe nxehtësisë dhe i alarmon personat e pranishëm për nevojën e evakuimit. Po ashtu, edhe rrjeti i hidranteve është jashtë funksionit”, tha Sasho Todoroski – inspektor për mbrojtje dhe shpëtim.

Pjesë e disa shfaqjeve teatrale në festivalin “Vera e Ohrit” mbahen këtu, prandaj për shkak të ngarkesës së punëve që duhet të realizohen, është e pasigurt nëse ato do të mund të luhen këtë verë në skenën e Qendrës Kulturore. Megjithatë, tragjedia në Koçan ka zgjuar institucionet nga gjumi i gjatë dimëror.

“Ne punojmë në bazë të planit mujor dhe programit vjetor dhe i kalojmë ato me dinamikë të caktuar. Duhet të them se deri në këtë ngjarje kemi qenë pak më tolerantë si inspektorë, sepse janë institucione shtetërore, por pas kësaj do të kalojmë pikë për pikë pa pardon, sepse e pamë deri ku na shpiu kjo punë”, deklaroi Sasho Todoroski – inspektor për mbrojtje dhe shpëtim.

“Pasi u konstatuan një sërë parregullsish, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë e punonjësve dhe vizitorëve, vendosëm për pezullim të përkohshëm të të gjitha ngjarjeve dhe manifestimeve që ishin planifikuar të mbahen. Për sanimin e gjendjes do të duhet të shpallet tender, procedurë e cila mund të zgjasë edhe një muaj e gjysmë, por më e rëndësishme është siguria sesa çdo gjë tjetër”, tha Goran Stojanoski – drejtor i Qendrës Kulturore “Grigor Përliçev” – Ohër.

Kontrolle të jashtëzakonshme janë kryer edhe në kopshtet e fëmijëve në Ohër dhe Strugë. Meqenëse janë ndërtuar më shumë se 50 vjet më parë, u përcaktua se nuk kishin sistem automatik zbulimi dhe alarmi për zjarr, pas çka iu urdhërua të instalonin urgjentisht sistem të tillë. Në fillim të prillit, palestra sportive “Niko Nestor” në Strugë u mbyll gjithashtu, sepse u përcaktua se nuk ishte e sigurt për përdorim, edhe pse përdorej nga më shumë se 1,500 nxënës dhe disa klube sportive. Një shkollë fillore në Strugë u urdhërua të inspektonte dhe riparonte të gjithë instalimin e saj, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes dhe alarmit nga zjarri. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button