Në rrethana të gjendjes së tmerrshme me dhunën, Limani s’e sheh të arsyeshme të flet për rikonstruimin
Gazetar: Suad Bajrami
Ministri Fatmir Limani i cili është në listët e VLEN-it për të cilin do të kërkojnë shkarkimin te kryeministri, tha se nuk ka kuptim të flitet për këtë temë, pasi pa një video, e cila tregonte reflektimin e dhunës në familje te dhuna mes bashkëmoshatarëve.
“Pas kësaj që e dëgjuam për këto ndodhi në shoqërinë tonë, humb gjithçka tjetër. A jemi ministra a jo, deri në atomin e fundit duhet të jemi që t’i pengojmë ndodhitë e këtilla, jo të merremi me atë se kush do të jetë ministër. Sa kanë qenë e sa kanë kaluar, e sa do të ketë ministra këtu, gjithçka do të varet se çfarë gjurme kemi lënë ne në këto salla dhe ato ministri”, deklaroi Fatmir Limani, Ministër i Politikës Sociale.
Takimet për çështjen e rikonstruimit, janë caktuar për të premten dhe të shtunën, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski tha se do të jetë i fokusuar te cilësia, jo te sasia. Mickoski tha se është i kënaqur me bashkëpunimin që ka me VLEN-in dhe nuk sheh pengesë për të mos vazhduar.
Megjithatë, VLEN-i kërkon që në kuadër të këtij rikonstruimi të largohet Fatmir Limani si ministër i propozuar nga VLEN, meqë Limani nuk mban asnjë pozitë partiake.
Kërkesa e këtillë vjen pas përplasjeve publike mes eksponentëve të VLEN-it dhe Limanit.
Plotësisht, VLEN do të propozojë emër edhe për pozitën e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, pasi Arben Fetai dha dorëheqje pas mosmarrëveshjeve brenda VLEN-it. /Alsat.mk








