Në Serbi sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare – Të rejat e fundit nga atje
Në Serbi sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare – Të rejat e fundit nga atje

Gazetar: Shkëlzen Aqifi
Shqiptarët në Luginën e Preshevës po votojnë për zgjedhjet parlamentare në Serbi. Në garë janë dy lista zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”. Në fshatin Tërnoc të Madh të Bujanocit ka votuar Shaip Kamberi, shkruan Alsat.
Deputeti i vetëm shqiptar gjatë mandatit të kaluar në Parlament të Serbisë, është optimist që gjatë ditës do të ketë dalje masive të qytetarëve për votim dhe se do të arrihen votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur deputet. Ai tha se sot nuk është koha për vajtim por për të ftuar qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“Besoj që në ditët e fundit të fushatës një intensifikim më i madh ka qenë në terren, takimet e tona me njerëz, ku kemi arsyetuar rëndësinë e daljes dhe pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare. Kemi informacione që janë qytetarët tanë që punojnë në Kosovë, janë sot duke mbërritur sot në Luginë të Preshevës për të dhënë votën e vet sepse ne duhet të kemi një përfaqësim dhe ai përfaqësim shprehet përmes votës së lirë. Qytetarët e kanë mundësinë sot të zgjedhin. Besoj që masovikisht t’i përgjigjen ftesës për zgjedhje”, tha Shaip Kamberi, Kandidat për Deputet.
Kamberi shtoi se Kosova e Shqipëria nuk kanë faj që shqiptarët po garojnë në këto zgjedhje me dy lista.
“Sot është koha e zgjedhjeve, sot është koha për të motivuar njerëzit, për të mos kërkuar fajtorin. Gjithë ata që marrin pjesë duhet të bindin elektoratin e vet për rëndësinë e pjesëmarrjes dhe t’i ftojë ata të dalin. As Kosova dhe as Shqipëria nuk mund të ketë faj, se edhe Kosova edhe Shqipëria kanë bërë përpjekje, në radhë të parë Kosova që ka nisur këtë proces, për të unifikuar një listë, nuk është arritur dhe tash nuk kemi kohë të vajtojmë sot”, theksoi Shaip Kamberi, Kandidat për deputet.
Për dallim nga Kamberi që u shpreh optimist, Kryetari i Preshevës Shqiprim Arifi që në mëngjes shprehu pesimizmin e tij lidhur me mandatin e deputetit.
“Është fatkeqësi që ne e shohim sot, kemi kaluar tani mbi tre orë që janë hapur vendvotimet edhe ajo të cilën edhe e kam paralajmëruar edhe më herët, që shqiptarët qysh në 2022 kanë bojkotuar (zgjedhjet), sepse kemi qenë të përçarë. Po duket qe sivjet edhe një herë më shumë po duket që po bojkotojnë përçarjen tonë të cilën e kemi me dy lista në zgjedhje Atmosfera është shumë e dobët për të dërguar një deputet atje sepse nuk ka faj votuesi, e kemi fajin ne”, u shpreh Shqiprim Arifi, kryetar i Preshevës.
Këshilltarja e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për Luginën e Preshevës Ardita Sinani pasi e shfrytëzoi të drejtën e votës tha se në Parlamentin e Serbisë duhet të delegohen njerëz që mbrojnë interesat e shqiptarëve të luginës.
“Ne si qytetarë të Luginës së Preshevës duhet të shfrytëzojmë votën tonë, për të përfaqësuar dhe për të deleguar njerëzit e duhur, njerëz cilësor të cilët mbrojnë interesat e qytetarëve të Luginës. Njerëz cilësor dhe që janë të rreshtuar drejt për të mbrojtur interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Andaj sa më shume të jemi proaktiv ndaj të gjitha këtyre diskriminimeve të vazhdueshme duhet të jemi më pro-aktiv”, tha Ardita Sinani, Këshilltare e Kryeministrit të Kosovës në Luginë.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kërkoi sot nga shqiptarët e Luginës së Preshevës që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje. “Pjesëmarrja sa më masive e bashkëkombësve tanë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në zgjedhjet e sotme parlamentare është kundërpërgjigja më e duhur dhe demokratike kundër politikës shoviniste të Beogradit, e cila, para syve të botës, vazhdon ta realizojë spastrimin etnik kundër shqiptarëve të Luginës nëpërmjet masave administrative”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.
Pos Osmanit, edhe presidenti shqiptar Bajram Begaj një ditë më parë u kërkoi shqiptarëve në Luginën e Preshevës që sa më masovikisht të dalin në votime. Edhe liderë të tjerë të partive në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni u kërkuan shqiptarëve të Luginës dalje sa më masive në këto zgjedhje./ Alsat.mk