Në Shkup hapësira të reja të Qendrës Kulturore dhe Informative Bullgare

Në Shkup hapësira të reja të Qendrës Kulturore dhe Informative Bullgare

Gazetar: Lluka Andreev

Me ekspozitën e përbashkët të piktorëve maqedonas dhe bullgarë në Shkup, u hapën ambientet e reja të Qendrës shtetërore kulturore dhe informative bullgare. Në ngjarje kishte prani të shtuar të policisë, e cila, sipas ministrit bullgar të kulturës Velislav Minekov, nuk ka qenë aspak e nevojshme.

“Jam i kënaqur me ngjarjen e sotme. Kjo është një tjetër urë, një tjetër afrim, ne megjithatë jemi vëllezër”, tha Velislav Minekov – Ministër i Kulturës së Bullgarisë.

E pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, e cila tha se dëshiron të sjellë energji të re në linjën Shkup-Sofje. Ajo shtoi se qëllimi i kësaj qendre në Shkup, si dhe i qendrës kulturore dhe informative maqedonase në Sofje, është përhapja e kulturës dhe afrimi i njerëzve. Sipas saj, do të ketë mbështetje aktive në fushën e kulturës mes dy vendeve.

Megjithatë, momentin e vodhi Kostadin Kostadinov, presidenti i partisë pro-ruse të Bullgarisë, Prerodba, i cili u shfaq me një delegacion nga parlamenti bullgar. I pyetur nga gazetarët, ai tha se nuk ndjen nevojë të kërkojë falje për deklaratën se Maqedonia është shteti i dytë bullgar.

“Pse duhet të kërkoj falje?” Për çfarë? Ndjehuni si të doni, a ju pengon dikush?”, tha Kostadin Kostadinov – kryetar i “Prerodba”.

“Çdo politikan duhet të mbajë përgjegjësi për atë që deklaron. Deklarata të tilla janë më së paku evropiane dhe nuk i shkojnë aspak në favor të një ngjarjeje kaq të bukur, siç është kjo sot”, shtoi Bisera Kostadinovska Stojçevska – Ministre e Kulturës.

Ndryshe, qendrat kulturore dhe informative në Shkup dhe Sofje janë hapur me marrëveshje mes dy vendeve që nga viti 2003. Aktualisht, Ministria e Kulturës ka filluar procedurën për hapjen e një qendre tjetër kulturore dhe informative maqedonase, këtë herë në Blagoevgrad./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button