Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme më shumë se 200 mijë nxënës iu rikthyen procesit mësimor
Në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme më shumë se 200 mijë nxënës iu rikthyen procesit mësimor

Gazetare: Melihate Rustemi
Zhurma e nxënësve sërish u dëgjua në çdo shkollë fillore dhe të mesme me nisjen e vitit të ri shkollor, shkruan Alsat.
Rrobat shumë ngjyrëshe të fëmijëve, posaçërisht të filloristëve, zbukuruan edhe më shumë korridoret e klasat e shkollës ku në 9 vitet e ardhshme do të marrin njohuri të reja. leximin.
“Unë e kam emrin Ajna. Sot kam filluar klasa e parë. Do ti mësoj të gjitha shkronjat. Do ti mësoj të gjitha vjershat. Do ta dëgjoj mësuesen”, tha një nxënëse.
“Do të mësoj shkronjat, do të mësoj leximin. Gjatë verës a ke mësuar ndonjë shkronjë? Po. Cilat? Disa i di, disa jo. Tash do të mësoj me shumë dëshirë edhe matematikën”, u shpreh një nxënëse tjetër.
Pavarësisht dëshirës së fëmijëve për mësim, mësimdhënësit thanë se plan programi për klasën e parë është i vështirë për moshën e fëmijëve.
“Mund të them se gjysma e klasës arritën ti mbajnë mend 36 shkronja dhe të lexojnë një lexim të lehtë. Mirëpo, përsëri kishte probleme mjaft të mëdha me shumicën e fëmijëve. Mendoj se mësimi parashkollor duhet të jetë i obliguar që fëmijët të jenë më të përgatitur për klasën e parë”, tha Fatmire Kadriu, mësuese.
Edhe këtë vit, nxënësit e arsimit fillor do të përballen me mungesë të librave, posaçërisht ata të klasës së gjashtë që tashmë përfshihen në konceptin e ri mësimor.
“U takuam me kujdestaren që e kishte emrin Selvije. Prej klasës së gjashtë kemi shumë lëndë por do të mësojmë shumë. Na treguan që nuk kemi libra por shpresojmë ti marrim sa më shpejtë”, tha një nxënëse.
“Disa kanë mbërri por presim gjatë kësaj jave edhe të tjerat të plotësohen. Tekstet janë bazë edhe për nxënësit dhe arsimtarët. Kjo do t’ju mbetet barrë kolëgëve që të kërkojnë materiale shtesë”, u shpreh Fitore Qirezi, drejtore e “7 Marsit”.
Ndryshe nga të tjerët, nxënësit e klasës së tretë dhe të gjashtë janë në pritje të librave. Sipas ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri tekstet për klasën e tretë tashëm janë aprovuar dhe po printohen ndërsa ato për klasën e gjashtë janë në fazë të aprovimit.
Ndër risitë me të cilat nis ky vit shkollor është edhe pushimi pranveror që do të realizohet nga 29 prill deri më 5 maj 2024. Gjithashtu, Shaqiri tha se nuk do të mungoj siguria në shkolla, asistentët për fëmijët me aftësi të posaçme. Viti i ri shkollor do të përmbyllet më 17 qershor 2024./ Alsat.mk