Në të kaluarën nga bujqësia sigurohej ekzistenca familjare, ndërsa sot mezi mbulohen shpenzimet

Në të kaluarën nga bujqësia sigurohej ekzistenca familjare, ndërsa sot mezi mbulohen shpenzimet

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Mjeku Idris Iljazi vazhdon traditën familjarë të kultivimit të prodhimeve bujqësore. Edhe pse kreu mjekësinë, Iljazi nuk e la anash bujqësinë. Sipas tij në të kaluarën prindërit e tij kanë arritur të mbajnë familjen dhe të shkollojnë fëmijët vetëm nga të mbjellat, ndërsa viteve të fundit, nga bujqësia nuk siguron dot as edhe kafshatën e lëre më të shkollosh fëmijët.

“Nga bujqësia e blegtoria kemi jetuar me vite. Njëqind vjet që kur u shpërngulëm, kemi ekzistuar me pemë perime e blegtori. Prindi krejt i siguronte dhe kemi shitur prodhimet tona të Pollogut në gjithë ish Jugosllavinë, ndërsa sot janë ndër më të prapambeturat”, tha Idris Iljazi, mjek/bujk.

Sikur të mos mjaftonte lënia pas dore e bujqësisë, së fundmi mbi 500 hektarë tokë në pjesën e quajtur “Dereboj” kanë mbetur edhe pa kanal për ujitje. Fillimisht u dëmtua nga disa ndërtime, më pas u bllokua nga muri mbrojtës që u ndërtua rreth lumit. Iljazi thotë se rritja e temperaturave rrezikon të mbjellat, nëse komuna nuk intervenon në kohë. Për të kërkuar zgjidhje të përkohshme me ujin, sot Iljazit iu bashkuan edhe shumë bujq të tjerë.

“Ne nga këtu e kemi marrë ujin, dikur mbërrinte deri në Siriqinë, por me hapjen e këtij kanali që nuk funksionon, tokat na kanë mbet shkretëtirë nga Gostivari e deri në Jazhincë”, shtoi ai.

“Kam mollë dardhë, livadhe e tjera. Aspak ujë nuk kemi, pikë uji nuk ka, erdhëm të shohim si të lëshojmë pak ujë. Kam edhe kafshë në fushë dhe pa ujë janë me bure mundohem”, tha një bujk.

“Ministria e Bujqësisë dhe ekonomizimi me ujërat duhet të mirëmbajnë kanalet e vaditjes por jo nuk i përmbajnë, dhe ne mundohemi vetë, i pastrojmë vetë shahtet”, theksoi një bujk.

“Nëse s’lëshohet ujë do digjet i gjithë bereqeti, e toka, do duhet komuna të na paguaj pastaj harxhimet. Njëzet hektar lakra kam mbjell, kanë punë duan ujë”, u shpreh një bujk.
Nga Komuna e Tetovës, thanë se punimet për zgjidhjen e problemit të bujqve do të fillojnë nesër, edhe atë duke vendosur gyp që do i plotësojë kërkesat./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button