Në Uashington do të diskutohet për ekonominë – ALSAT-M


Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se në takimin e planifikuar të mbahet më 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë, mes Kosovës dhe Serbisë, pritet të diskutohet kryesisht për çështje të ekonomisë.

“Në fakt është vazhdim i bisedimeve për ekonominë, që kanë nisur në kohën kur bisedonim për rivendosjen e linjës ajrore dhe trafikut hekurudhor. Pra, këto janë kryesisht tema ekonomike për të cilat ne gjithmonë kemi bërë thirrje që të diskutohen”, tha Bërnabiq.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, më 14 gusht njoftoi se më 2 shtator, Kosova dhe Serbia do të takohen në Uashington. Kësaj ftese i janë përgjigjur pozitivisht kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Administrata amerikane ka konfirmuar për REL se në këtë takim do të bisedohet për çështjet ekonomike.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Grenellit kanë nënshkruar marrëveshjet për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por të cilat ende nuk kanë nisur së zbatuari.

Ky pajtim mes Kosovë dhe Serbisë është arritur në kohën kur dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishte pezulluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia.

LEXO EDHE:

Back to top button