Negociatat SHBA–Iran mbeten të bllokuara, refuzohet propozimi për paqe
Ministri i Jashtëm i Iranit zhvilloi bisedime me udhëheqësin e Omanit, një ditë pasi dy të dërguarit kryesorë të SHBA-së u tërhoqën papritur nga bisedimet e planifikuara për t’i dhënë fund luftës në Iran, e cila është duke zgjatur mbi dy muaj. Presidenti amerikan Donald Tramp tha se anuloi negociatat me Iranin sepse kishte shumë udhëtime dhe se negociatorët e tij nuk po takoheshin me liderin e vendit. Sipas Trampit iranianët kanë dërguar një propozim të ri për paqe, por e ka refuzuar.
“Me siguri keni dëgjuar që e anuluam udhëtimin. Ne i kemi të gjitha kartat. Nuk do të kalojmë 15 orë në avionë duke shkuar vajtje-ardhje për të marrë një dokument që nuk ishte mjaftueshëm i mirë. Pra, do të merremi me telefon dhe ata mund të na telefonojnë në çdo kohë që duan. Atyre praktikisht nuk u ka mbetur ushtri. Nuk u kanë mbetur liderë,” deklaroi Donald Trump, President i SHBA.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i kanë pezulluar bombardimet ndaj Iranit, në përputhje me armëpushimin e shpallur nga Trampi, të cili ai e zgjati më 21 prill për kohë të papërcaktuar. Irani e ka kushtëzuar rikthimin në tryezën e bisedimeve me heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, një kërkesë që Tramp deri tani e ka hedhur poshtë. Bllokada detare e SHBA-së, si dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, kanë bërë që çmimet globale të energjisë të rriten tejet shumë, duke shkaktuar mungesa karburanti në disa vende dhe ndërprerje të udhëtimeve ajrore ndërkombëtare.








