Negociatat Shkup-Sofje, Petkov: KE-ja ka rënë dakord të garantojë të drejtat e bullgarëve
Negociatat Shkup-Sofje, Petkov: KE-ja ka rënë dakord të garantojë të drejtat e bullgarëve

Gazetar: Lluka Andreev
Brukseli është i gatshëm ta përfshijë zgjidhjen e mundshme nga dialogu Shkup-Sofje në kornizën negociatore për vendin. Pas takimit të kryeministrit bullgar Kiril Petkov me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Lajen, tha se BE-ja e kupton kërkesën e Sofjes për të drejtat e bullgarëve në Maqedoni dhe do të garantojë se kjo kërkesë do të përmbushet.
“Lajmi i mirë është se Komisioni Evropian ka shprehur gatishmërinë që përmes një kuadri potencial negociues të jetë garantues për të drejtat e bullgarëve në Maqedoni, përkatësisht respektimin e të drejtave të bullgarëve. Korniza negociuese dhe procesi i negociatave do të kontribuojnë për fqinjësinë e mirë për të cilën shpresojmë aq gjatë”, tha Kiril Petkov – Kryeministër i Bullgarisë.
Duke u përgjigjur në seancën e pyetjeve të deputetëve, Petkov mohoi partnerin e tij të koalicionit Slavi Trifonov dhe theksoi se nuk ka negociata të fshehta me Shkupin. Ai tha se zgjidhja e mundshme do të duhet të konfirmohet në Kuvend, duke shpresuar në votat e opozitës.
“Çdo zgjidhje duhet të ndodhë përmes bashkimit të plotë, jo vetëm në koalicionin qeverisës, por edhe me opozitën”, u shpreh Kiril Petkov – Kryeministër i Bullgarisë.
“Çdo zgjidhje ku ju “çahet” koalicioni, a duhet ta mbështesim ne dhe GERB? Në këtë rast, për interesin kombëtar, ju dëshironi që t’i zgjasim jetën një koalicioni që nuk ka kuptim”, u shpreh Jordan Conev – LDL.
Autoritetet në Maqedoni si dhe diplomatë të lartë të BE-së, janë zotuar se mosmarrëveshja dypalëshe nuk duhet të jetë pjesë e kornizës negociuese, por megjithatë, MPJ-ja nuk i zbulon detajet e fundit të dialogut me Bullgarinë. Në kuadër të Forumit Ekonomik Delfi, kryeministri Dimitar Kovaçevski u takua me Përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për Ballkanin Perëndimor Miroslav Lajçak. Siç njoftoi shërbimi për shtyp i qeverisë, Kovaçevski ka theksuar se në dialogun në Sofje ka avancim, për të cilin është e nevojshme mbështetja e Brukselit që të definohet korniza negociuese dhe të vendoset synimi për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me Komisionin Evropian sa më shpejt. Mbështetje për gjetjen urgjente të një zgjidhjeje të pranueshme të përbashkët shprehu edhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Eskobar, i cili bëri thirrje për përshpejtimin maksimal të procesit të anëtarësimit në BE. /Alsat.mk