Nejmar te Çellsi, “dhuratë” për Poketinjon?

Zërat për largimin e Nejmarit nga PSZH nuk kanë të ndalur që nga mbërritja e tij në kryeqytetin francez. Madje kishte nga ata që pyesnin se çfarë po bënte Nejmar duke luajtur një kampionat si ai francez, kur kishte gjithçka në Barcelonë.
Që nga marsi i kaluar, kur dëmtoi kyçin e këmbës, dhe pas Botërorit të Katarit, Nejmar nuk e ka ngritur më kokën. Ai u rikthye më 10 korrik për nisjen e përgatitjeve prasezonale te PSZH, por gjendja e tij fizike ngriti dyshime për vazhdimësinë e tij.
Por jo për Çellsi-n. Presidenti i bluve të Londrës, Tod Boeli, ka kthyer vëmendjen te braziliani, me idenë për t’i bërë një dhuratë të shtrenjtë trajnerit të ri, Poketinjon.
A do t’ia dalë? Është e qartë se Nejmar, i cili është ribashkuar me trajnerin e tij të vjetër te Barça (Enrike), ndihet rehat në Paris, pavarësisht kritikave të pandërprera që i kanë ardhur, sidomos këtë sezon. Nejmar është 31 vjeç dhe ka kontratë deri në vitin 2027 me skuadrën pariziene.