Nerova në fokusin e Alsat prej vitit 2023
Nerova në fokusin e Alsat prej vitit 2023

Pas daljes së sipërfaqe të zgjidhjes nisi fushata propagandistike e politikës për të rrëmbyer meritat për zgjidhjen e problemit të shkollës së Nerovës. Megjithatë ishte televizioni Alsat, i cili që nga viti 2023 alarmoi për kushtet e rënda në të cilat mësojnë nxënësit e Nerovës. Një sërë raportimesh nga vendi i ngjarjes, zgjuan nga gjumi i thellë politikën. Ndërsa ishte pikërisht politika që nuk e pa problemin dhe nuk dëgjoi zërin e banorëve me dekada, edhe pse prej vitit 2002 në pozitën e ministrit të Arsimit ka pasur 6 shqiptarë, shumica e të cilëve nga BDI.
Pas kësaj derë të arnuar mësojnë nxënës të klasës së parë të fshatit Nerovë të Krushevës…
Ishte 26 nëntori i vitit 2023 kur ALSAT ngriti për herë të parë çështjen e shkollës së Nerovës, në kushte të rënda mësimi, me një objekt që nuk siguronte as klasa të mjaftueshme për nxënësit, e jo më për mjetet e tjera mësimore, përballjen e me kushtet e dimrit etj.
Në këto kushte të mjerueshme të kësaj shkolle fillore nga klasa e parë deri në të nëntën mësojnë 120 nxënës të këtij fshati. E për të vështirësuar edhe më shumë procesin arsimor, nxënësve u mungojnë edhe një pjesë e teksteve shkollore…
“Përveç shkumësit, nuk ka smart tabela nuk kemi as kabinetet siç duhet, përveç shkumësit s’kemi asgjë tjetër!”, tha Mitat Rustemi, mësues.
Gjendjen në këtë shkollë, ALSAT e ndoqi edhe në vitin 2024, por qeveria e atëhershme, me BDI-në në pushtet dhe me ministrin e saj të arsimit, nuk gjenin dot as vullnet politik dhe as zgjidhje.
Në maj të vitit 2025, ALSAT aktualizoi gjendjen kur vetë banorët kishin bashkuar forcat për ndërtimin e një objekti të ri. Duke qenë se edhe objekti i vjetër prej 7 dekadash kishte qenë gjithashtu pa leje, banorët iu kundërvunë apatisë së shtetit. Alsat i kushtoi një sërë kronikash nga terreni dhe intervistash me banorët, përfshi edhe aktorët politik për gjetjen e zgjidhjes.
“Vazhdimisht përpara zgjedhjeve çdokush ka ardhur ka premtuar. Ka kërkuar votën dhe ka ikur? Po, asnjëherë nuk është bërë asgjë, asnjë lëvizje minimale që ne si banorë mund të kemi shpresa se do të ndërtohet nga shteti apo institucionet shtetërore”, u shpreh Dashmir Jusufi, banor i Nerovës.
Nga opozita, BDI-ja dhe anëtarë të Frontit Evropian opozitar, u zgjuan dhe dolën në terren si të shqetësuar për gjendjen.
Ditë më parë, zgjidhja u arrit falë regjistrimit të pronës shtetërore duke i hapur mundësinë Komunës së Krushevës për marrjen e masave ligjore e administrative për legalizimin e mëtejshëm të objekteve shkollore.
Sipas vendimit të Qeverisë si fillim parcela në të cilën ndodhen dy objektet shkollore futet në plan urbanistik. Më pas del në pronësi të Komunës së Krushevës. Pas kësaj bëhet legalizimi i dy objekteve. Pas mbarimit të procedurave për legalizim, Ministria e Arsimit, bashkërisht me prindërit dhe nxënësit do të marrë në shqyrtim opsionin më të mirë se si të organizohet procesi edukativo arsimor.
Ndërsa ALSAT e prezantoi këtë zgjidhje ditë më parë, një vizitë e ambasadorit të Shqipërisë u përdor nga BDI-ja sikur ambasadori kishte ndërhyrë për gjetjen e zgjidhjes, madje i dilte në mbrojtje Denion Meidanit, kur qytetarë dhe eksponentë e ironizonin për përvetësim meritash.
Në rrjetet sociale u ndezën përplasje të ashpra, duke e ndarë opinionin edhe në taborë politikë.
Ambasadori doli me qëndrimin “Ju dua” dhe kjo u ndoq me tone ku BDI-ja i jepte meritat, ndërsa pjesa tjetër e akuzonte për ndërhyrje dhe manovra politike në mbështetje të opozitës. Ai u quajt sorrë në vend të shqiponjës, ndërsa fjalët e tij “Ju dua”, se i referoheshin BDI-së dhe jo shqiptarëve. Ambasadori i Shqipërisë shihet në një sërë organizimesh të BDI-së, takimesh të krerëve të Tiranës me kandidatët e BDI-së për zgjedhjet lokale, sikurse edhe vetë Edi Rama i jepte tituj kreut të BDI-së Ahmeti në mes të fushatës zgjedhore.
(kronika – 2 korrik 2025) …Çështja e shkollës në Nerovë duket se po shkon drejt zgjidhjes. Qeveria me vendimin e fundit ka obliguar Komunë e Krushevës të ndërmerr të gjitha masat për legalizimin e objekteve shkollore.
Më 2 korrik ALSAT vazhdoi me raportimet e tij të drejta, pa nevojë për merita, por duke e bërë punën profesionalisht – ndryshe nga partitë politike dhe klikat e tyre gazetareske apo opiononbërëse. /Alsat.mk