Nëse vaksinimi vazhdon me këtë ritëm, imuniteti kolektiv mund të arrihet në tetor

Imuniteti kolektiv pritet të arrihet nga mesi i muajit tetor në raste se vaksinimi vazhdon me ritëm të shpejtë, sikurse në tri javët e fundit. Parashikimi i Ministrisë së Shëndetësisë është që deri më 15 tetor të vaksinohen rreth një milion qytetarë me dy doza. Turma të shumta të qytetarëve nëpër të gjitha pikat e vaksinimit pas heqjes së terminëve dhe shtimi i masave restriktive, kanë bërë që të rihapet qendra më e madhe e vaksinimit në vend. Me 20 vende për vaksinim njëkohësisht nga i gjithë vendi pritet të shtendosen radhët e gjata. Por, kjo pikë ende nuk është gati.

  “Përderisa autoritetet shëndetësore paralajmëruan se që nga e mërkura             salla e vogël e Boris Trajkovskit do të shndërrohet në pikë për vaksinim, sot akoma nuk ka asnjë lëvizje për përgatitjen e saj.”

Sistemi shëndetësor është i fokusuar në dy fronte ndaj pandemisë. Kundër variantit delta po imunizohet popullsia në mënyrë masive, ndërkaq mjekët po bëjnë të pamundurën për të shëruar të infektuarit.Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se rreth 700 pacientë janë të hospitalizuar. Sipas tij, numri më i madh i pacientëve, të cilët kanë mbushur kapacitetet janë në Spitalet në Tetovë, Gostivar, Strugë dhe Kërçovë.

 “Me drejtorët e këtyre spitaleve jemi në komunikim të vazhdueshëm me qëllim që secili pacientë, i cili e ka të nevojshme kurimin spitalor ti sigurohet një krevat duke u transportuar në Shkup, këtu është i hapur Spitali për rehabilitim në Kozle, që është e pajisur edhe me sistem qendror të oksigjenimit. Gjatë kohës së fundjavës aty u shtruan 25 pacientë nga gjithsej sa ka 110 shtretër. Për pacientët e Kërçovës dhe Strugës i kemi vënë në dispozicion Spitalet e Prilepit dhe Manastirit, ndërkaq për Tetovën dhe Gostivarin i kemi kovid qendrat këtu në Shkup.”- deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Tetë muaj pas nisjes së vaksinimit në vend Qeveria ka filluar një fushatë për sensibilizimin e qytetarëve për vaksinim të ashtuquajtur “Vaksinohu për çaste të lumtura”! Megjithëse thirrje të vazhdueshme ka pasur gjatë gjithë kohës nga autoritetet, qytetarët ua mësynë dyerve të shtëpive të shëndetit kur u kushtëzua që pa vaksinim mos të ketë hyrje nëpër kafene, restorante, qendra tregtare etj. Që nga 1 shatori kërkohet certifikata vaksinimit, PCR test negativ ose vërtetim shërimi në hyrje të pikave kufitare.

 

Përgatiti: Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button